Shtyhet serish shitja e “Mercedes-i” të Gruevskit

Fati i “Mercedesit” luksoz për blerjen e të cilit është dënuar ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski dhe ish-ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska, do të dihet pas zgjedhjeve presidenciale, raporton A1on duke iu referuar burimeve qeveritare.

“Pas zgjedhjeve presidenciale, ne do të gjejmë një zgjidhje. Ndërsa zgjedhjet presidenciale janë në proces, procesi është në pushim,” thanë zyrtarë të paemëruar nga qeveria.Shërbimi i Përgjithshëm dhe Çështjeve të Përbashkëta mori “Mercedesin” e blinduar nga Ministria e Punëve të Brendshme, pas së cilës u vendos në ankand, por procedura u ndalua për shkak të procesit gjyqësor të Prokurorisë Speciale nën emrin kodues “Tanku”.

Byroja e Ekspertizës Gjyqësore vlerësoi vlerën e automjetit në 234 mijë euro për shkak të amortizimit. “Mercedes” vitin e kaluar për herë të pestë ishte servisuar për një shumë prej 27,000 euro dhe u mbyll në garazh. Deri më tani, Republika e Maqedonisë Veriore ka paguar pesë shërbime për këtë makinë me vlerë 120,000 euro. Ndryshe, “Mercedesi” i Gruevskit është blerë për 580.000 euro.

Në procedurën gjyqësore, ish-kryeministri Gruevski tha se blerja ishte kryer në përputhje me rregullat për prokurimin e automjeteve të tilla për nevojat e qeverisë, ndërsa Prokuroria Speciale e akuzoi Gruevskin për ndikim të paligjshëm në procedurën e prokurimit. Në këtë rast, Gruevski u dënua me dy vjet burg.