Gjilan

Shtyhet gjykimi për falsifikim parash, mungoi i akuzuari

Rrahman Misini nga Kumanova e Maqedonisë, i akuzuar për falsifikim parash nuk u paraqit të premten në gjykatën e Gjilanit.

Gjyqtari i vetëm gjykues Islam Thaqi, njoftoi se për seancën e radhës ndaj të pandehurit në fjalë do të lëshohet urdhër i policisë për vërtetimin e adresës së tij ,sepse, sipas fletërgesës së pranuar në gjykatë, në adresën e cekur në aktakuzë nuk jeton askush.

Në këtë gjykim, mungoi edhe i dëmtuari Afrim Arifi, i cili ishte i ftuar në mënyrë të rregulltë, madje i njëjti kishte pranuar ftesën por nuk ka arsyetu mosardhjen e tij.

Sipas përshkrimit të aktakuzës, Rrahman Misini më 9 maj të vitit 2012, në Gjilan në shitoren NTP “Afro” me dashje ka vënë në qarkullim paranë e falsifikuar kartmonedhën prej 100 eurosh, me qëllim që paraja e falsifikuar të përdoret për blerjen e artikujve ushqimor, më pas ka ikur nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, ndërsa më vonë identifikohet nga i dëmtuari Afrim Arifi. Me çka kishte kryer veprën penale të falsifikimit të parasë.

Gjyqtari Islam Thaqi, e shtyu seancën për kohë të pacaktuar, ndërsa për seancën e radhës e njoftoi Prokurorin Isuf Sadiku dhe mbrojtësin e të pandehurit Ymer Huruglica, që do të ftohen me kohë./kallxo