UP

Shtyhet gjykimi për dallavere rreth regjistrimit të studentëve në UP

Në mungesë të të akuzuarit Ardian Hamit, të martën ka dështuar të mbahet gjykimi, në rastin ku i njëjti bashkë me Behare Bajramin, Betim Ismajlin dhe Mimoza Beqirin po akuzohen për falsifikimin e dokumenteve rreth regjistrimit të studentëve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në këtë rast, e pandehura Bajrami po akuzohet edhe për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësja e të akuzuarit Hamiti, avokatja Albulena Ukimeri njoftoi gjykatën se i mbrojtur i saj nuk mund të prezantoi në këtë seancë për shkaqe shëndetësore, për çka tha se posedon edhe dokumentin shëndetësor.

Lidhur me këtë, gjykatësja Medie Bytyqi bëri të ditur se për shkak se nuk janë plotësuar kushtet ligjore seanca shtyhet për një datë tjetër. Ajo shtoi se nëse i akuzuari Hamiti nuk posedon dokumente mjekësore, gjykata do të veprojë konfom dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.

Ndryshe, prezent në këtë seancë ishin të dëmtuarit Blerta Mjeku, Rizah Ukelli, Kadri dhe Krenar Abdullahu, kurse munguan Arbnor Mustafa, Ferat Maliqi, Ipakete Zuja, edhe pse gjykata kishte dëshmi së të njëjtit ishin ftuar në mënyrë të rregullt.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 31 maj 2017, ndaj Mimoza Beqirit, Behare Bajramit, Betim Ismailit, Ardian Hamitit, Ermal Durakut, Anton Jakajt, Daut Ademajt, Ilir Muratit, Rajmonda Osmanit dhe Edona Sallahut, me arsyetimin se nga viti 2013-2014, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë falsifikuar dokumente të ndryshme.

VIDEO BONUS: Teleferiku punon në Brezovicë