Shtyhet edhe zyrtarisht fillimi i vitit të ri shkollor

Në mbledhjen që zhvilloi Qeveria e Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar edhe zyrtarisht se procesi i fillimit të vitit të ri shkollor është shtyrë deri më 13 shtator.

Kurti, përpara ministrave të tij, ka thënë se një vendim të tillë e kanë marrë si “detyrim” për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Tani jemi të detyruar që paralelisht me vaksinimin masiv të marrim masa kufizuese që sikurse në fillim të qeverisjes sonë kanë për qëllim ndërprerjen sa më të shpejtë të trendit të rritjes dhe më pastaj uljen e tij. Që të parandalojmë përhapjen e virusit te të rinjtë, jemi të detyruar ta shtyjmë fillimin e vitit të ri shkollor”, ka thënë Kurti.

KOHA pati raportuar të enjten se për shkak të gjendjes me pandeminë në Kosovë, fillimi i vitit të ri shkollor do të shtyhet deri më 13 shtator.