Shtrenjtohet gati 100 për qind çmimi i peletit në Kosovë

Është shtrenjtuar në masë të madhe së fundmi edhe çmimi i peletit në Kosovë, një produkt ky i domosdoshëm për familjet kosovare, sidomos gjatë muajve të dimrit.

Tani kur po afrohet periudha kur kosovarët nisin të mbushin stoqet e tyre me gjerat elementare për muajt e dimrit, çmimi i njërit prej produkteve kryesore për ngrohje të shumicës së familjeve në vend, ka arritur në “stratosferë”.

Nga një çmim prej vetëm 180 deri në 220 eurove sa ka qenë gjatë vitit të kaluar një ton pelet, këtë vit çmimi për të njëjtën sasi ka shkuar në 400 euro.

Kështu, vetëm një thes i peletit që ka sasi prej 12.5 kilogramëve, tash e tutje kushton fiks 5 euro, nga një çmim prej diku 3 eurove.

Sipas njohësve të fushës, Qeveria duhet të ndërmarrë masa urgjente që të vë nën kontroll tregtarët që po manipulojnë më çmime.

Përndryshe, nëse vazhdon ky çmim, qytetarët do të detyrohen që të ngrohen me energji elektrike gjatë muajve të ftoftë të dimrit, që si rrjedhojë do të rëndohej edhe më tej kriza energjetike gjatë asaj periudhe.