Shtrenjtohet çmimi i energjisë elektrike

Bordi i ZRrE-së ka miratuar ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, në mbledhjen e mbajtur sot.

Drejtuesit e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë kanë miratuar propozimet e reja tarifore për KEDS/KESCO.

Sipas vendimit të bordit të ZRrE-së, çmimi i energjisë elektrike është rritur për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kWh.

“Ky bllok të zhvendoset në 800 kilovatë orë. Struktura e re tarifore deri në 800 i inkurajon konsumatorët që t’i shfrytëzojnë të dy tarifat. U ofron konsumatorëve që të shfrytëzojnë energjinë në mënyrë efikasee me 5,9 cent kWh. Për ata që konsumojnë mbi 800 është tarifa e lartë prej 12 cent dhe tarifa e ulët 6 cent. Njëkohësisht edhe në deri 800 tarifa e ulët prej 3 cent dhe tarifa e lartë prej 7 cent”, është thënë nga Departamenti i tarifave në ZRRE.

“Mbi 800 kilovatë kemi tarifën e ulët prej 6 cent dhe tarifën e lartë prej 12 cent. Edhe për këta konsumatorë ekzistojnë dy tarifa. Edhe këta konsumatorë e përfitojnë subvencionin e qeverisë, i cili realisht po besojmë që është e përballueshme për shumicën e konsumatorëve”, tha Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të ZRrE-së.

Struktura e re tarifore e miratuar nga Bordi i ZRrE-së është e përafërt me propozimet e shpalosura nga Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet.

LVV-ja, propozoi para rreth dy javësh për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që harxhojnë mbi 800 kilovatë për orë.

“Blloku i parë tarifor deri në 800 kilovat i cili mbulohet nga prodhime i KEK-ut të mos ketë shtrenjtim të rrymës. Këtu përfshihet edhe subvencionimi i Qeverisë. Ky bllok tarifor përbën 63% të amvisërive në gjithë territorin e Kosovës”, tha Mimoza Kusari-Lila, në një paraqitje për media.

Opozita parlamentare kërkoi të mos rritet çmimi i energjisë elektrike, në komentet e dërguara në ZRrE.