Shtohet rreziku për luftë në Mesdhe, Turqia synon dërgimin e ushtrisë në Libi

Rreziku për një përplasje ushtarake në rajonin e Mesdheut është rritur pas bisedimeve në të cilat Turqia është zotuar për të dërguar trupa në Libi për ta mbrojtur qeverinë e njohur nga Kombet e Bashkuara.

E ashtuquajtura qeveri e pëlqimit kombëtar, me bazë në Tripoli, është duke u përballur me rrezikun e një sulmi vendimtar nga forcat e gjeneralit Khalifa Haftar, të cilat e kontrollojnë pjesën lindore të vendit.

Turqia, e ndodhur përballë disa mosmarrëveshjeve me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për çështje të ndryshme, javën e kaluar e nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me qeverinë libiane, me të cilën mundësohet që kjo e fundit të kërkojë trupa ushtarake nga fuqia aziatike.

Ministri i jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, dhe ministri i mbrojtjes, Hulusi Akar, u takuan me kryeministrin libian, Fayez al Serraj, në Doha të Katarit gjatë kësaj fundjave. Kryediplomati turk tha se Libia nuk ka bërë ende kërkesë zyrtare për dërgimin e trupave të Turqisë, por një gjë e tillë do të ishte shumë e lehtë.

Në anën tjetër, forcat ajrore të gjeneralit Haftar, të cilat përkrahen nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, e kanë bombarduar aeroportin e qytezës bregdetare të Misrata-s si paralajmërim që Turqia të mos dërgojë trupa dhe armatim në Turqi.

Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe e kanë shkelur embargon e armëve, të miratuar nga kjo organizatë, por qeveria turke duket e vendosur që të mos lejojë që Tripoli të bie në duart e Haftar-it, shkruan “The Guardian”.