Shtohen telefonatat nga Brukseli, zëvendëssekretari i NATO-s flet me komandantin e KFOR-it për situatën në veri

Zëvendëssekretari i NATO-s, Mircea Geoana, ka telefonuar komandantin e KFOR-it, Ferenc Kajári, për ta pyetur rreth situatës në Kosovë, pas tensioneve që u ngritën në veri të vendit pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet.

Ai theksoi se forcat e NATO-s në Kosovë janë të gatshme për ndërhyrje në rast të ndonjë rreziku.

“KFOR-i po monitoron nga afër dhe vazhdon të jetë i përgatitur për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës, bazuar në mandatin e OKB-së”, ka shkruar zëvendësi i Jens Stoltenberg në Twitter.

Përsëritja e zotimit për intervenim nga Geoana vjen pas atij të KFOR-it, i cili pas bllokimit të rrugëve në veri të vendit, deklaroi se është i gatshëm të marrë masa për ta mbajtur stabilitetin.

“Në përgjithësi, situata e sigurisë në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar. KFOR-i është duke vëzhguar situatën nga afër edhe është i gatshëm të intervenojë nëse situata rrezikohet, në përputhje me mandatin që ka nga rezoluta 1244”.