Shtohen rastet e dhunës në familje, prijnë Prishtina e Peja

Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional (CLARD), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike (ACDC), kanë organizuar një fushatë vetëdijesuese kundër dhunës në familje, në kuadër të projektit “Edukimi kundër dhunës në familje dhe ngacmimit seksual”.

Fushata u mbajt në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Sipas organizatorëve kjo fushatë është përmbyllje e një fushate njëvjeçare, që u përcoll me ligjërata në shkolla të mesme në lidhje me dhunën në familje.

Dhe qëllimi i kampanjës, sipas tyre, ka qenë vetëdijesimi i qytetarëve për dhunën në familje.

Në vitet e fundit ata thonë se ka pasur shtim të rasteve të dhunës në familje dhe Prishtina e Peja, janë dy komunat ku ka dominuar raportimi i këtyre rasteve.

“Në tre vitet e fundit, sipas tyre, ka një trend të rritjes së rasteve të dhunës në familje, rritje Peja e Prishtina prijnë. U Kemi sugjeruar institucioneve të drejtësisë të ndërmarrin masa parandaluese”, ka thënë Ehat Miftaraj i CLARD-it, njofton Klankosova.tv

Sipas tyre, jo profesionalizmi i gjykatave e prokurorive, ka bërë që qytetarët të mos mund t’i ushtrojnë të drejtat e tyre.

“Përkundër kampanjave të shumta që kemi bërë, fatkeqësisht gjyqtarët, prokurorët, policia nuk janë në gjendje të ushtrojnë kompetencat e tyre dhe përgjegjësitë, që ua jep kushtetuta dhe ligji, qytetarët nuk po mund t’i ushtrojnë të drejtat e tyre, për shkak të jo profesionalizmit të gjykatave dhe prokurorive”, ka shtuar Miftaraj.

Nga IKD-ja thanë se nga janari i këtij viti, deri në qershor janë raportuar njëmijë e 300 raste të dhunës në familje, krahasuar me njëmiojë e 900 në gjithë vitin e kaluar.

CLARD tha se me përkrahjen e ambasadës amerikane kanë ofruar ndihmë juridike falas për të gjitha komunitetet e vendit.