Shtohen infektimet me COVID-19 në Gjermani – testim me detyrim për pushuesit e kthyer

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn po verifikon mundësinë e testeve të detyruara të COVID-19 për pushuesit që kthehen nga zonat e rrezikuara.

Ndërkohë flitet se vala e dytë e Coronavirusit është realitet në Gjermani.

“Ne po verifikojmë detyrimin ligjor”, për testet e COVID-19 tha Jens Spahn për Deutschlandfunk lidhur me mundësinë e vendosjes së testeve të detyruara për ata pushues që kthehen nga zonat e rrezikuara.

Sphan e argumenton këtë masë me rritjen e numrit të infeksioneve të reja.

“Një numër i tillë kaq i lartë nuk ishte prej kohësh”, ka thënë ai, duke theksuar se, “ajo që kemi për momentin janë shumë vatra të vogla shpërthimi”, që shumicën e rasteve ka të bëjë me aktivitetet e udhëtimeve.

Por një test i detyruar shkon përtej vendimit të ministrave të Shëndetësisë së landeve të premten. Sipas tij në aeroporte do të ngriheshin qendra testimi, ku të kthyerit nga pushimet do të testoheshin pa kosto dhe vullnetarisht.

Sipas Spahn për detyrimin e testimit ka pengesa të mëdha ligjore.

“Është një ndërhyrje në liri detyrimi që i vihet dikujt për testim. Gjykatat e shohin me shumë vëmendje që çdo ndërhyrje të jetë proporcional”, ka thënë Spahn, që është shprehur, se ende beson në testimin vullnetar dhe arsyen e pushuesve.