Shtimja bëhet me palestër sportive

Është përuruar në Shtime palestra sportive, në 11-vjetorin e pavarësisë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka thënë se ky projekt ka kushtuar rreth dy milionë e gjysmë euro. Ai ka thënë se së shpejti Shtimes do t’i ndërtohet edhe qendra rinore.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që sot në këtë ditë festë për vendin tonë po e përurojmë palestrën sportive dhe më në fund po e realizojmë një ëndërr të kamotshme te të gjithë sportistëve e sportdashësve që edhe Shtimja të ketë infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve kulturore e sportive”, ka thënë Gashi. “Sportistët tanë janë ambasadorët më të mirë të Kosovës, me sukseset e tyre të arritura në vend dhe ne arenën ndërkombëtare çdo here po na bëjnë krenar dhe ne si Ministri e Sportit jemi të përkushtuar ta mbështesim fuqishëm sportin në vendin tonë dhe do të jemi gjithmonë afër sportisteve dhe sportdashësve”.

Në përurim, kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se “Shtimja ka qenë kampion i lirisë dhe shumë shpejt do të jetë kampion edhe në sport”.

Ndërkaq kryetari i Shtimes, Naim Ismajli, ka thënë se kjo është palestër jashtëzakonisht e nevojshme dhe e mirëpritur nga sportistët e qytetarët e Shtimes.

Në përurim mori pjesë edhe ambasadori William Walker. Ai ka thënë se i ndjek lajmet për Kosovën duke shtuar se zakonisht ka lajme të këqija, ndërsa ato të mirat vijnë nga sporti e kultura.

“I ndjek lajmet për Kosovën që paraqiten në lajmet ndërkombëtare dhe zakonisht ka disa lajme të këqija. Medaljet e arta në xhudo, futbollistët kosovarë që luajnë në ekipe të famshme ndërkombëtare janë lajme të mira që vijnë shpesh nga Kosova edhe në sport e kulturë që ju e keni dëshmuar”, ka thënë Walker, sipas njoftimit nga MKRS.