Sot një litër naftë në shumicën e pompave të derivateve kushton 0.87 cent apo 0.89 cent, por dy vite më parë, konkretisht në fund të vitit 2018, në muajt, nëntor dhe dhjetor ishte 0.30 cent më shtrenjtë.
Për të mbajtur këtë çmim të lartë kompanitë e derivateve ishin dakorduar mes vete. Këtë e tregojnë dënimet që Autoritet Kosovar i Konkurrencës i ka bërë dy kompanive që shesin derivate.
Mësohet se Autoriteti i Konkurrencës ka dënuar kompaninë e derivateve “EXFIS” me gjobë rreth 600 mijë euro si dhe kompaninë “PATRONI” me rreth 38 mijë euro për ç’rregullim të konkurencës tregtare gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018, e që me këto veprime kanë kryer shkelje të dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës Nr. 03L/-229, nenin 4 “Marrëveshje të ndaluar apo praktikë e bashkërenduar”.
Autoriteti i Konkurrencës ka dënuar kompaninë “Petrol Company” me rreth 200 mijë euro, kurse kompaninë “SHELL” me më shumë se 1 milionë euro, si dhe kompaninë “HIB Petrol”, poashtu me mbi 1 milionë euro.
Kontakti me kompaninë “HIB Petrol”, zyrtarë të së cilës kanë kërkuar t’ua dërgojmë pyetjet në e-mail, çka e kemi bërë, por më pas nuk kanë kthyer përgjigje.
Kurse nga kompania “SHELL” nuk kanë dashur të flasin me arsyetimin se nuk gjendet në zyrë zyrtari për media i kompanisë.
Edhe drejtori i Autoritetit të Konkurencës, Valon Prestreshi, edhe pse ka parë pyetjet nuk është përgjigjur.
Ndryshe, Prestreshi përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se nesër do të mbajë konferencë për media për këtë çështje.
“Ju njoftojmë se të premten (08.05.2020), në orën 10, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do ta shpalosë vendimin përfundimtar lidhur me rastin që ka të bëjë me dyshimet për manipulime me çmime nga kompanitë e derivateve të naftës. Konferenca do të mbahet në ish-objektin e Bankës së Lubjanës, kati i katërt (IV), Rr. Migjeni në Prishtinë”, ka shkruar ai në Facebook.
Edhe kompani të tjera janë dënuar nga Autoriteti i Konkurencës, sipas burimit.







