Shteti që u vuri taksë milionerëve për t’i përkrahur mjekët, studentët e bizneset

Argjentina ka vendosur taksë të re për personat që kanë pasuri milionëshe në mënyrë që të sigurohen fonde për pajisje mjekësore dhe rimëkëmbje për bizneset për shkak të pandemisë.

Njerëzit që kanë asete me vlerë mbi 200 milionë pesos ose 2.3 milionë dollarë do të paguajnë taksë prej rreth 3 për qind për asetet e deklaruara brenda vendit dhe mbi 5 për qind taksë për asetet që kanë jashtë shtetit.

Nga këto taksa do të preken rreth 12.000 njerëz të pasur, ndërsa qeveria po shpreson se do të grumbullojë rreth 3 miliardë dollarë. Të hollat do të përdoren edhe për bursa dhe ndihma sociale, shkruan BBC.

Senatorët e shtetit të largët të Amerikës Jugore e miratuan taksën e njohur si “taksa e milionerëve” muajin e kaluar. Taksa u propozua nga presidenti Alberto Fernandez, por u kritikua nga opozita, duke e quajtur atë “taksë konfiskuese”.

Argjentina është goditur rëndë nga pandemia, e cila ka ndikuar që të rritet shkalla e varfërisë. Gati 40 për qind e popullsisë jeton në varfëri, ndërsa niveli i papunësisë është 11 për qind.

Deri më tani, Argjentina ka regjistruar gati dy milionë të infektuar dhe mbi 47.000 të vdekur nga Covid-19.