Shteti pa pasaporta, AKI bllokon tenderin për verifikim

Shteti i Kosovës është duke u përballur me mungesë të materialit për prodhimin e dokumenteve të ndryshme për qytetarë, veçmas në një fazë kritike ka hyrë prodhimi më pasaporta. Aktualisht janë duke u prodhuar vetëm një sasi e vogël e tyre.

Para disa javësh janë prodhuar pasaporta në baza ditore aq sa ka qenë kërkesa, sot prodhimi është reduktuar për rreth 70 për qind. Kjo ngase MPB-ja ka mbetur pa materialin për prodhimin e tyre.

Në fakt është duke u operuar vetëm me aq sa ka materiale stok, ngase edhe validiteti i tenderit për furnizim me dokumente personale të identifikimit ka skaduar në muajin e kaluar.

Më datë 21 prill 2022 është hapur tender i vlerës së madh nga zyra prokurimit e MPB-së me titull “Furnizimi me dokumente personale te identifikimit dhe mirëmbajta e sistemeve elektronike”. Vlera e parashikuar e kontratës është 12,524,000.00 euro. Kjo kontratë publike kornizë do të ketë kohëzgjatje prej 36 muajsh dhe është efektive prej datës në të cilën ajo hyn në fuqi.

Periskopi ka mësuar se tenderi është stopuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencës – AKI për disa verifikime, ngase njëra prej kompanive që ka rezultuar që i ka përmbushur kriteret e ka bazën e prodhimit të dokumenteve në Serbi.

Për këtë tender kanë aplikuar vetëm dy kompani: Grupi i kompanive “Augentic GmbH; IN Groupe shpk. Vlera e ofertës 12329261, 27 euro.

Grupi i kompanive 1, “Muhlbauer ID Services GmbH; Ymako SHPK. Vlera e ofertës 12456071, 43 euro. Ky grup i kompanive, ndonëse ka ofertuar çmime pak më të lartë se grupi tjetër, ka qenë më i kompletuar me dokumentacion, ka mësuar Periskopi.

Grupi Muhlbauer është i vetmi partner teknologjik në mbarë botën për prodhimin dhe personalizimin e kartave, pasaportave dhe aplikacioneve RFID që ofron gjithçka nga një burim i vetëm. Ka rreth 3500 punonjës, dhe qendrat teknologjike i kanë Gjermani, Malajzi, Kinë, Sllovaki, SHBA dhe Serbi.

“Janë duke u verifikuar disa të dhëna nga AKI-ja lidhur më kompanitë ofertuese, pasi njëra nga to bazën e prodhimit e ka në Serbi, dhe po të shpallej fitues, dokumentet do të prodhoheshin atje, dhe po nga punëtorët e kësaj kompanie do të mirëmbahej i gjithë sistemi”, kanë thënë burim i mirinformuar për Periskopin.

Faktikisht, interesim për të aplikuar për këtë tender kishte shfaqur edhe konzerciumi “Phantom Solution” shpk, por kishte konsideruar se disa prej kritereve që ishin vendosur nga ana e Ministrisë kanë qenë favorizuese ose diskriminuese. MPB-ja e kishte refuzuar ankesën e saj, megjithëkëtë e kishte bërë disa ndryshime në ‘njoftimin për kontratë’. Kjo kompani ishte ankuar në OSHP dhe më datë 15 gushtë. OSHP kishte hedhur poshtë ankesën dhe e kishte lënë në fuqi njoftimin për kontratë të MPB-së. Megjithëse i ka dy oferta, MPB-ja nuk e ka bërë asnjë hapë për ta realizuar tenderin. Njoftimi i fundit i saj më datë 10 qershor 2022 është “Vendim mbi pezullimin e aktivitetit të prokurimit”, pasi ka pas ankesë në OSHP. Ndonëse, janë bërë dy muaj që nga vendimi i OSHP-së, Ministria nuk ka nxjerrë një vendim të ri për këtë tender për të shpallur si të pa përgjegjshme ofertat, apo për të rekomanduar për kontratë ndonjërën prej tyre.

Në MPB kanë pranuar se ka probleme të furnizimit më dokumente, por nuk e kanë specifikuar problemin e prodhimit të pasaportave. Kanë thënë se ka një reduktim të kapaciteteve prodhuese si masë preventive ndaj vështirësive në furnizim me dokumente sipas planifikimeve, e cila ka ardhur si pasojë e gjendjes së përgjithshme përkatësisht krizës globale të shkaktuar nga pandemia dhe lufta ne Ukrainë.

“Ministria e Punëve të Brendshme, respektivisht Agjencia për Regjistrim Civil ju njofton që procesi i prodhimit të dokumenteve është duke vazhduar dhe qytetarët janë duke u pajisur me dokumente. Mirëpo, kemi një reduktim/zvogëlim të kapaciteteve prodhuese si masë preventive ndaj vështirësive në furnizim me dokumente bllanko sipas planifikimeve, e cila ka ardhur si pasojë e gjendjes së përgjithshme përkatësisht krizës globale të shkaktuar nga Pandemia Covid-19 dhe Lufta ne Ukrainë. Ministria e Punëve të Brendshme është e përkushtuar për zgjidhjen e kësaj çështje sa më shpejtë që të jetë e mundur”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim Publik e Ministrisë së Punëve të Brendshme për Periskopin.

Në gjysmën e shtatorit të vitit 2021, MPB-ja, kishte lidhur kontratë me negocim me afat prej 12 muajve me kompaninë gjermane “Veridos GmbH” për tenderin “Furnizim emergjent me dokumente të identifikimit dhe mirëmbajtje të sistemeve”. Vlera e kontratës në të cilën ka qenë e përfshirë edhe prodhimi i pasaportave ka qenë 3 929 080,00 euro. Kontratës i ka kaluar validiteti në muajin e kaluar dhe, siç ka mësuar Periskopi, kompania e ka ndërprerë frazimin dhe ministria po operon me sasinë që i ka mbetur në stok.