“Shteti na solli pranë falimentimit”| S’ka më tavan për çmimet, çfarë do të ndodhë tani?

Nga sot nuk do të ketë përcaktim të çmimit të derivateve të naftës nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Shoqata e Naftëtarëve thotë se çmimet nuk duhet të përcaktohen nga shteti.  Paralajmërojnë lirim të naftës e benzinës.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për 30 ditë kishte përcaktuar çmimin tavan për çdo 24 orë për derivatet. Por, nga sot nuk do të ketë çmim tavan për naftën dhe benzinën.

Ministria ka thënë se me tash e tutje masat do të merren duke bërë inspektime nëpër pikat shitëse.

“Prandaj, masat në vijim për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e tjera Mbrojtëse do të merren sipas evidencës së inspektimeve me gjetje nga Inspektorati i Tregut në nivel qendror dhe komunal në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe në komunikim e konsultim të afërt me Doganën e Kosovës, Autoritetin e Konkurrencës, Shoqatën e Naftëtarëve dhe bizneset individuale të naftës dhe me konsumatorët”, thuhet në një postim nga Ministria e Industrisë dhe Tregtisë

Lidhur me skadimin e udhëzimit të Qeverisë, ka folur Fadil Berjani për Demokracia.com, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, duke treguar se çmimi tavan i ka sjellë pikat e karburantit buzë falimentimit.

“Çmimet sot sillen: Dizel 1.68, benzina 1.53. Çmimi të cilin e ka diktuar Ministria, çmimi tavan i ka sjellë pikat e karburantit buzë falimentimit dhe të gjitha pikat me pakicë kanë punuar me humbje”, thotë Berjani.

Sipas tij, çmimi duhet të përcaktohet nga berza. Berjani thekson se ka pasur rënie të derivateve në berzë dhe rrjedhimisht edhe në Kosovë.

“Kosova është treg i hapur dhe liberal, jemi shteti më i vogël në botë, me më së shumti pika karburanti. Çmimin e përcakton berza dhe duhet të respektohet çmimi në berzë dhe te ne të reflektojë. Tërë javën e kaluar ka pasur rënie të derivateve në berzë dhe kemi pasur rënie të çmimit në tregjet ndërkombëtare dhe te ne në Kosovë. Dhe trendi është në rënie të çmimit”, ka thënë Berjani për Demokracia.com.

Qeveria e Kosovës kishte miratuar një udhëzim administrativ me të cilin përcaktohej çmimi maksimal i lejuar për derivatet e naftës.

Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari kishte deklaruar se ka mospërputhje të çmimeve në Kosovë me lëvizjet në tregjet botërore.

Për këtë ka thënë se do të caktohet menjëherë çmimi maksimal i lejuar. Sipas rregullores, fitimi ishte 12 centë për shitjet me pakicë, ndërsa 2 centë për shitjet me shumicë.