Shteti ka shpenzuar kaq para për të ftuarit nga Specialja

Mbi 60 mijë euro janë shpenzuar nga buxheti i Kosovës për të mbuluar shpenzimet e disa prej personave të intervistuar nga Prokuroria e Specializuar që funksionon në kuadër të Dhomave të Specializuara, e njohur si Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Këtë e ka konfirmuar, Ministria Drejtësisë me anë të një përgjigje me shkrim.

“Ju informojmë se buxheti i shpenzuar deri më tani për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar, të dyshuar apo të përfshirë në çfarëdo forme në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara është si në vijim: Sipas vendimit të Qeverisë nr. 14/94 të datës 19.3.2019, janë shpenzuar mjete në shumën prej  40,000.00 €. Sipas vendimit të Qeverisë nr. 10/88 të datës 05.02.2019 janë shpenzuar mjete në vlerën prej  30,000.00 €. Shuma prej 9.187.00 € sipas vendimit nr. 10/88 të datës 05.02.2019, paragrafi 3 pika 3.1 janë kthyer mjetet në Buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Drejtësisë.

Ministria ka bërë të ditur se për vitin 2020 nga buxheti i Kosovës janë ndarë rreth 20 milion euro për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore në Hagë.

“Buxheti i ndarë për mbështetje financiare personave të akuzuar, të dyshuar ose të përfshirë potencial për vitin 2020 përmes Ligjit nr. 07/L-014 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit me nr. 07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës ka paraparë ndarjen e mjeteve në vlerë prej 7 milion euro dhe vlera prej 13 milion Euro është e ndarë në kontigjencat e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, me qëllim që institucionet e Republikës së Kosovës të jenë të gatshme t’i përmbushin obligimet ligjore të parapara me Ligjin nr. 05/L-54”, thuhet në përgjigjen e MD-së.

Por, Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Hekuran Murati thotë se shuma e ndarë për të akuzuarit potencial të Gjykatës Speciale është e lartë.

“Unë skam qenë i pajtimit për shkak se ka qenë një shumë e madhe e paarsyeshme për një kohë shumë të shkurt. Kemi pas kërkesa shumë më të mëdha për pandeminë”, tha Murati, raporton Objektiv.

Në bazë të Ligjit për Mbrojtjen Juridike dhe Financiare të Personave të cilët mund të jenë të akuzuar nga Gjykata Speciale, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, personat kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësve të pavarur.

Ndërkohë, Gjykata Speciale, me seli në Hagë, i ka bërë publike edhe listat e avokatëve mbrojtës për të akuzuarit.

Në këtë listë janë emrat e 179 avokatëve mbrojtës, e në mesin e tyre janë edhe emrat e avokatëve mbrojtës të palëve që pretendojnë që janë viktima.