LIVE

Shteti Islamik “merr përgjegjësi” për sulmin në Moskë – Rusët thonë: Nuk duhen marrë 100% seriozisht (VIDEO, FOTO)

Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Moskë të premten, ka raportuar “Reuters”.

ISIS-i ka bërë njoftimin në kanalin e vet në Telegram. E, më vonë edhe ka njoftuar se sulmuesit kanë ikur pa u kapur nga Policia ruse. 

“Luftëtarët e Shtetit Islamik kanë sulmuar një grumbull të madh të të krishterëve në Krasnogorsk jashtë kryeqytetit rus, duke vrarë dhe plagosur qindra dhe duke shkaktuar dëme të mëdha aty përpara se të tërhiqeshin në bazat e tyre të sigurt”, thuhet në njoftimin e ISIS-it.

Si pasojë e sulmit të armatosur, raportohet për të paktën 40 të vrarë e qindra të plagosur. Akoma nuk ka të arrestuar për rastin.

Terroristët që sulmuan “Krokus” dyshohet se u larguan me një makinë Renault të bardhë, raporton RIA Novosti, e cila ka siguruar foton, transmeton Ballkani.info.


Ajo që dihet deri tash për sulmin në Moskë:

  • Persona të armatosur e maskuar kanë shtënë në sallën “Crocus City” afër Moskës të premten në mbrëmje gjatë një koncerti të rok-grupit rus “Piknik”. Kjo sallë është ndër më të mëdhatë në Moskë.
  • Të paktën 40 persona raportohet të jenë vrarë e mbi 100 të jenë plagosur, siç kanë raportuar agjencitë shtetërore ruse duke cituar Shërbimin Federal të Sigurisë në Rusi, rreth orës 20:00, sipas kohës lokale në Kosovë.
  • Pesë persona besohet se ishin të përfshirë në sulm. Deri tash përgjegjësinë mbi sulmin s’e ka marrë askush. Rusia e ka përshkruar sulmin si “akt terrorizmi”.
  • Videot e publikuara kanë treguar burrat duke shtënë me automatikë mbi rusët që iknin për të shpëtuar. Sulmuesit po ashtu besohet se kanë kryer shpërthime, siç edhe dëgjohet në disa video të publikuara.
  • TASS ka raportuar se shumë njerëz kanë mbetur brenda objektit, çatia e të cilit është djegur e po shembet.
  • Njësi të shumta emergjence, përfshirë policinë e zjarrfikësit janë parë në vendngjarje.
  • Më herët gjatë muajit, shtete perëndimore përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës patën lëshuar alarm rreziku duke u kërkuar shtetasve të tyre të shmangin tubimet publike në Rusi.