MTI

Shteti i vendosur: Taksa ndaj Serbisë qëndron

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si dhe Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit organizuan tryezë lidhur mbrojtjen e konsumatorëve nga produktet jo cilësore, ku u tha se ligji për mbrojtjen e konsumatorit është i mirë por u kërkua të rritet numri i inspektorëve.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka përmendur disa aktivitete dhe urdhëresa për ndalimin e shitjes së duhanit për të mitur, ndalimin e lojërave kancerogjene, të cilat urdhëresa kanë pasur për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, transmeton ksp.

Shala duke folur për taksën ndaj mallrave serbe, ka ripërsëritur se taksa do të vazhdojë të aplikohet ndaj Serbisë.

“Jemi në prekjeje për ta mbrojtur konsumatorin, ligji për mbrojtjen e konsumatorit është i mirë dhe garanton mbrojtjen e konsumatorit në plotni. E rëndësi e veçantë është edhe mbështetja prodhuesve vendor për zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik”, tha ai, duke shtuar se kanë për synim sigurimin e cilësisë së produkteve vendore dhe të importuara me anë të mbikëqyrjes përmes inspektoratit”, ka shkruar ai.

Sherif Fejzullahu nga Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit tha se ngritja e vetëdijes së konsumatorit për cilësi është prioritet i MTI-së dhe këtij Këshilli.

“Që nga 15 mars 2018, Këshilli ka organizuar disa aktivitete për mbrojtën e konsumatorëve nga produktet jo cilësore”, tha ai.

Valdet Gjinovci, kryeshef i AUV ka thënë se kjo agjenci çdoherë punon për të garantuar një nivel të lartë të cilësisë së produkteve.

“Jemi të përkushtuar që përmes inspektimeve të largojmë nga tregu ato produkte të cilat nuk përmbajnë cilësinë e duhur dhe rrezikonin shëndetin e konsumatorëve”, ka thënë Gjinovci.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha ka thënë se mbajtja e konsumatorëve është prioritet në strategjinë e klubit.

“Ka produkte cilësore në Kosovë, por duhet të rritet konkurrueshmëria. Ne kërkojmë nga ministria që të rrit numrin e inspektorëve për kontroll. Secili importues në Kosovë duhet të respekton kriteret ligjore. Ka individ të papengueshëm dhe ata operatorë të ndëshkohen dhe të mbyllen fabrikat në sektorin e mishit”, ka thënë Panxha.

Ai kërkoi edhe kontroll më të rreptë në kufijtë.

Edhe Lulëzim Syla, kryeinspektor ka treguar për masat të cilat janë ndërmarr ndaj atyre operatorëve të cilët nuk kanë respektuar ligjet në fuqi për produkte në të gjithë sektorët.