Presidenti amerikan, Donald Trump do të vendosë një tarifë shtesë prej 84% në të gjitha importet kineze të mërkurën, ka njoftuar të martën sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. 

Kjo do të thotë që të gjitha mallrat nga vendi do t’i nënshtrohen një tarife prej të paktën 104%, raporton CNN.

Kina përballej me rritje të tarifave me 34% të mërkurën, si pjesë e paketës tarifore “reciproke” të Trumpit. 

Por presidenti ka vendosur tarifë tjetër prej 50% pasi Pekini nuk e tërhoqi premtimin e tij për të vendosur tarifa hakmarrëse prej 34% për mallrat amerikane deri në mesditën e së martës.

“Vendet si Kina, të cilat kanë zgjedhur të hakmerren dhe të përpiqen të dyfishojnë keqtrajtimin e tyre ndaj punëtorëve amerikanë, po bëjnë një gabim”, u ka thënë Leavitt gazetarëve të martën. 

“Presidenti Trump ka një shtyllë prej çeliku dhe ai nuk do të thyhet”.

“Kinezët duan të bëjnë një marrëveshje, ata thjesht nuk dinë si ta bëjnë atë”, ka shtuar ajo.

Ajo nuk ka pranuar të thotë se cilat kushte, nëse ka, do të konsideronte Trumpi për të ulur tarifat ndaj Kinës.

Kina ishte burimi i dytë më i madh i importeve të Amerikës vitin e kaluar, duke dërguar një total prej 439 miliardë dollarësh mallra në SHBA, ndërsa SHBA-ja ka eksportuar mallra me vlerë 144 miliardë dollarë në Kinë. 

Tarifat e ndërsjella kërcënojnë të dëmtojnë industritë vendase dhe mund të rezultojnë me pushime nga puna.

Leavitt po ashtu ka thënë se Trumpi nuk po shqyrton një zgjatje ose vonesë të tarifave, ndonëse të hënën ishte përfolur për mundësinë e një pauze 90-ditore.