Shtëpia e Bardhë e falënderon Presidentin Thaçi për dekorimin e Presidentit Trump

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Robert O’Brien, e ka falënderuar Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për dekorimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, me Medaljen e Urdhrit të Lirisë si mirënjohje “për përkushtimin e thellë për banorët e Kosovës”.

“Presidenti Trump është përkrahës i vendosur i Kosovës dhe beson fuqishëm se masat historike për normalizim ekonomik të arritura në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator 2020 do të ndihmojnë paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Ballkan”, thuhet në letrën që Këshilltari O’Brien i ka dërguar këtë javë Presidenti Thaçi.

Këshilltari O’Brien falënderon edhe për dekorimin e Emisarit Special, Ambasadorin Richard Grenell, si dhe vet Këshilltarin për Siguri Kombëtare Robert O’Brien me Medaljen e Meritave.

“Është nder i madh që të qëndroj përkrah banorëve të Kosovës”, thotë O’Brien në letrën e tij.

“E çmojmë përkrahjen e fuqishme për implementimin e normalizimit ekonomik me Serbinë”, përfundon letra që Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, i ka dërguar Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, ka dekoruar Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, me Urdhrin e Lirisë, dekoratën më të lartë në Kosovë, për angazhimin e tij për të arritur një marrëveshje të paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë ndërsa Ambasadorin Grenell dhe Këshilltarin O’Brien i ka dekoruar me Medaljen e Meritave për rolin e tyre në arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë.