Shtëpia e Bardhë bën thirrje për ndaljen e kaosit në Irlandën Veriore

Nëpërmjet një deklarate për media, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se presidenti amerikan e mbështet “një Irlandë Veriore të sigurt dhe prosperuese, në të cilën të gjitha komunitetet do të kenë një zë dhe do t’i gëzojnë përfitimet e paqes së fituar me shumë mund”

Shtëpia e Bardhë ka shprehur të enjten shqetësimin për trazirat në Irlandën e Veriut, me ç’rast presidenti amerikan Joe Biden, u është bashkuar kryeministrit britanik, Boris Johnson dhe atij irlandez, Michael Martin, në thirrjet për qetësi, pas asaj që policia në Belfast e përshkroi si dhunën më të rëndë ndër vite.

Nëpërmjet një deklarate për media, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se presidenti amerikan e mbështet “një Irlandë Veriore të sigurt dhe prosperuese, në të cilën të gjitha komunitetet do të kenë një zë dhe do t’i gëzojnë përfitimet e paqes së fituar me shumë mund”.

Një deklaratë të tillë ajo e ka bërë teksa sekretari i Irlandës Veriore, Brandon Lewis, u ka adresuar thirrje liderëve të të gjithë spektrit politik që ta zbusin gjuhën me qëllim të uljes së tensioneve.

Bideni, i cili ka rrënjë irlandeze, vazhdimisht ka shprehur mbështetjen e tij për procesin e paqes, ndërsa vitin e kaluar është përfshirë në përplasje lidhur me planet e Mbretërisë së Bashkuar për t’i anashkaluar disa pjesë të marrëveshjes së Brexitit, duke e paralajmëruar kryeministrin Johnson se ujdia tregtar duhet të arrihet “në përputhje me respektimin e marrëveshjes së paqes dhe në parandalim të kthimit të kufirit fizik”.

Policia ka bërë të ditur se më shumë se 600 persona janë përfshirë në trazirat e së enjtes në Belfast, kur një autobusi i është vënë flaka, janë përdorur plumbat e gazit, ndërkaq janë hedhur edhe bombola përtej “murit të paqes”.

Në kohën e ndasive në Belfast dhe krizës së thelluar politike, asambleja e Irlandës Veriore është bashkuar në dënimin e dhunës që ka shpërthyer për shtatë net radhazi dhe është pajtuar për një mocion që bën thirrje për përfundimin e dhunës dhe mbështetjen e sundimit të ligjit.

Pas një bisede telefonike të enjten, kryeministrat Johnson dhe Martin kanë bërë thirrje për qetësi dhe janë pajtuar se “mënyra e duhur për ecjen përpara është nëpërmjet dialogut dhe funksionimit të institucioneve të dakorduara me marrëveshjen e së Premtes së Mirë”.

Irlanda Veriore ishte zhytur në krizë, pas përshkallëzimit të dhunës në pjesën ndarëse midis komuniteteve luajale dhe nacionaliste në rajonet Shankill dhe Springfield.

Opinioni publik është polarizuar si për shkak të protokolleve të marrëveshjes së Brexitit për Irlandën e Veriut ashtu edhe për vendimin e fundit për të mos i persekutuar liderët e Sinn feinit, të cilët kanë marrë pjesë në një funeral, duke i shkelur kufizimet shëndetësore të zbatuara shkaku i pandemisë.