Shtatë të vdekur nga rrëzimi i helikopterit ushtarak në Venezuelë

Ministria e Mbrojtjes e Venezuelës njoftoi përmes një deklarate se një helikopter ushtarak është rrëzuar afër Karakasit të shtunën, me ç’rast kanë vdekur shtatë personat që ndodheshin në të.

Helikopteri ishte duke fluturuar nga Karakasi në rajonin Cojedes në momentin e rrëzimit. Në deklaratë thuhet se autoritetet janë duke e hetuar shkakun e rrëzimit të helikopterit.

Presidenti Nicolas Maduro shkoi në Cojedes të shtunën për t’i parë për së afërmi disa ushtrime ushtarake, me ç’rast tha se ato e dëshmojnë gatishmërinë e ushtrisë së Venezuelës kundër, siç tha ai, kërcënimit që paraqesin Shtetet e Bashkuara.

Maduro po e akuzon qeverinë e Shteteve të Bashkuara për organizim të puçit kundër tij përmes ofrimit të përkrahjes ndaj liderit të opozitës, Juan Guaido, i cili e vlerëson Maduron si president jolegjitim dhe e ka shpallur veten president.

“Më vjen shumë keq për këtë incident dhe ua shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjeve dhe miqve”, shkroi Maduro në Twitter, shkruan “The Guardian”.