Shtatë komisione parlamentare pritet të mbahen sot

Në Kuvendin e Kosovës sot janë paralajmëruar se do të mbahen shtatë komisione parlamentare.

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes do të diskutojë për zhvillimet në Policinë e Kosovës ndërsa Komisioni për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media, do shqyrtojë raportin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin civil të Kosovës, i cili do fillojë në orën 10:00.

Tutje, sot është paraparë që të intervistohen Bujar Dugolli, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë dhe Mrika Tahiri, ish-drejtore menaxhuese, në Komisioni Hetimor lidhur me privatizimin. Ndërkohë, Komisioni për Ekonomi do shqyrtojë në parim Projektligjin për identifikimin elektronike dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike. Këtë raportim do e bëjë ministri i Ekonomisë, Blerim Kuqi, në orën 11:00.

Nga ora 13:00, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, do raportojë para Komisionit për Legjislacion lidhur me Projektligjin për të drejtën ndërkombëtare private. Komisioni që ka të bëjë me Arsim sot do e shqyrtojë listën e kandidatëve për Anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, do diskutojë lidhur me zbatimin e Ligjit për shërbimin e jashtëm.

Në anën tjetër, në pikën kufitare në Merdare, Komisioni për Çështje të Sigurisë do e bëjë një vizitë pune.