Që nga data 17 dhjetor të vitit 2018, kirurgët nga Klinika e Kirurgjisë në QKUK janë në grevë.
Si pasojë e mos realizimit të kërkesave të tyre për ngritje pagash, kirurgët kanë paralajmëruar vazhdim të grevës edhe në ditët në vijim.
Në një prononcim për Ballkani.info, kirurgu Arbër Emini nga Klinika e Kirurgjisë, kishte thënë se kjo grevë po i kushton shtetit të Kosovës rreth 200 operacione në ditë, të cilat sipas tij po anuloheshin.
Emini kishte thënë se po presin të mbajnë ndonjë takim me kryeministrin Haradinaj edhe pse deri më tani nuk ka asgjë konkrete.
Në anën tjetër, kirurgët i kishte vizituar edhe Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.
Ismaili iu kishte ofruar ngritje pagash, por si duket kjo nuk iu ka mjaftuar kirurgëve grevist.
Ditën e sotme, në media është raportuar se janë anuluar mbi dy mijë operacione deri më tani si shkak i grevës së kirurgëve.
Ballkani.info ka kontaktuar me Zyren e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), të cilët kanë konfirmuar se greva e kirurgëve është jashtë organizimit sindikal, por kanë theksuar se të gjitha rastet emergjente janë trajtuar me rregull.
“Zyra e drejtorit të përgjithshëm e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, ju njofton se zyrtarisht Greva e organizuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë ka përfunduar. Ka disa kirurgë që po organizojnë grevë jashtë organizimit sindikal. Puna dhe operacionet janë kryer normalisht, përfshirë edhe rastet jo emergjente në Klinikën e Gjinekologjisë, Kirurgji Vaskulare, Oftalmologjisë, ORL, Kirurgji Masksilofaciale dhe Neurokirurgji, kardiokirurgji, orotpedi, poashtu operacione ka pasur në disa salla tjera operative” është thënë në përgjigjen e Zyres së Drejtorit të SHSKUK për Ballkani.info.
Tutje, sipas raportit të zyres së drejtorit, në QKUK gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 64 operacione në të gjithë QKUK-në, ndërsa janë trajtuar të gjitha rastet emergjente.
“Sipas raportit 24 orësh nga Klinika e Anestezionit, në 24 orët e fundit janë kryer 64 operacione në tërë QKUK. Rastet emergjente janë trajtuar në të gjitha klinikat” thuhet në njoftim. /Ballkani.info







