Shqiptari zbulon artisten e talentuar dy-vjeçare (VIDEO)

Në një të hënë me diell, artistja 2-vjeçare Lola June, ndihmon që të bëhen gati tasat me ngjyrë, derisa brushën ia jep Pajtim Osmanaj, piktori shqiptar që zbuloi artisten e vogël. Pasi të sigurohet gjithçka, artistja merr brushën që është më e gjatë se ajo, derisa tasin me ngjyrë të zezë ia mban Osmanaj.

Artisti shqiptar është mik i nënës së Lola Junes, Lucille Javier, një stiliste flokësh në New York. Derisa po darkonin, Osmanaj vërejti përzierjen e mirë të ngjyrave që bëri vogëlushja dhe shkarravitjet e ngjashme me artistët e njohur Cy Twombly dhe Joan Mitchell. Pas asaj mbrëmjeje, Osmanaj ia dha panelin me ngjyra, të cilat i përdor edhe vetë.

Lola June ka mbajtur dy ekspozita në galerinë e artit “ChaShaMa”. Osmanaj thotë se gjatë ekspozitës së parë, pikturat e dyvjeçares janë shitur me çmim nga 300 deri në 1 mijë e 800 dollarë dhe njerëzit blinin nga katër piktura. Në ekspozitën e dytë, çmimet e pikturave ishin nga 500 deri në 2 mijë e 800 dollarë.

“Të shesësh një vepër arti për 1 mijë e 500 dollarë dhe që ka një tregim të madh prapa, atëherë është e lirë. Krejt ekspozita kishte 40 vepra arti, ndërsa ne shitëm 32 prej tyre, prandaj them se patëm sukses”, tregon Osmanaj.

Nëna Lucille Javier, thotë se dyvjeçarja ka një vizion dhe estetikë, edhe pse nuk i pëlqen krejt pikturat e vajzës së saj.

“Është mirë të kemi kritika, vinin njerëzit dhe na thoshin: ‘Kjo është bërllok’ dhe mendoj se kishin të drejtë, arti shpesh mund të jetë bërllok, por ndoshta nuk është dashur ta them me zë këtë”, thotë Javier.

Artisti shqiptar që ishte kurator i ekspozitave të vogëlushes, thotë se Lola June është origjinale dhe bën art pa u brengosur se çfarë thonë të tjerët.

“Artistët e rritur si unë apo të tjerët, tentojnë të gjejnë lirinë që disi e kemi humbur. Atë e kishim kur ishim fëmijë. Lola, në këtë kohë është origjinale, është vetja dhe është shpirt i lirë që bën art pa u brengosur për botën artistike apo se çfarë thonë të tjerët”, thotë Osmanaj.

Shpërthim në akull për të shpëtuar nga përmbytja

Një shpërthim i suksesshëm është kryer në sipërfaqen e ngrirë të lumit Heilongjiang në provincën verilindore të Kinës, me qëllim që të parandalohen përmbytjet pranverore.

Shpërthimi u krye në një gjatësi 2.7 kilometrash dhe eksplozivët u vendosën nën akull, me ç’rast krijua një spektakël gjatë thyerjes së akullit.

Spektaklin e akullit e panë nga afër qindra njerëz që u mblodhën për të shkrepur fotografi të shpërthimit me eksploziv. Para se të fillonte puna, policia krijoi një perimetër të sigurt dhe parandaloi turistët që të afroheshin te zona e rrezikshmërisë.

Image
“Shpërthimi është dashur të shtyhet për shkak të temperaturave të larta dhe reshjeve të pakta gjatë këtij dimri. Shpërthimi është kryer në nëntë pjesë dhe do të ulë mundësinë e përmbytjeve përreth lumit”, thotë Li Yansong, drejtor i Agjencisë së Ujërave.

“Isha me fat që erdha sot. Në secilin shpërthim, akulli shkonte përpjetë disa metra dhe ishte gjë e bukur”, thotë një turiste që kishte ardhur vetëm për të parë shpërthimin.

Një natë në muzeun e Louvret

Filmi “Në natë në muze” do të bëhet realitet për dy fatlumë që fitojnë bileta për të qëndruar një natë të tërë në Muzeun e Louvreit në Paris.

Në vizitën e veçantë përfshihen turi me një historian arti, mundësinë që të cakërroni gotat para Mona Lizës dhe të darkoni përballë Venus de Milo. Pas kësaj, pason koncerti privat në dhomat e Napoleon Bonapartës. Krejt në fund, gjumin do ta bëni në dhomën e krijuar në majë të piramidës së muzeut të njohur.

Menaxherja e komunikimeve në kompaninë “Airbnb” në Francë, Celia Zaidi, ka thënë se ky udhëtim i veçantë po bëhet për 10-vjetorin e platformës së shërbimit mikpritës.

“Parisi është qytet shumë i rëndësishëm për ne, pasi është shtëpi e shumë mysafirëve. Në të kaluarën kemi përjetuar netët e mrekullueshme në Katakombet e Parisit dhe së fundmi në Akuarium. Sivjet për të festuar 10- vjetorin e kompanisë kemi menduar të bëjmë diçka më të veçantë dhe donim ta hapnim Louvren për një natë magjike”, thotë Zaidi.

Zëvendësadministratorja e Louvreit, Anne-Laure Beatrix, thotë se do të jetë një përvojë e paharrueshme për çiftin që fiton biletat për të kaluar një natë në muze.

“Për Louvren themi se është vendi më i bukur në botë, sepse këtë e shohim çdo ditë. Prandaj, është ëndërr e çmendur që të themi se do të flemë në Piramidën e Louvreit. Kjo nuk është bërë asnjëherë më parë edhe pse është veç për një natë”, shprehet Beatrix.

Fituesit do të përzgjidhen përmes pyetjeve të bëra për të interesuarit dhe përgjigjet më origjinale do të kenë rastin të fitojnë biletat për udhëtimin që do të bëhet më 30 prill.

Ata që nuk mund të fitojnë biletat, kanë mundësi që të shkojnë në koncert dhe vizita të veçanta, duke rezervuar vendet për 30 euro. Turne privatë nëpër Muzeun e Louvret më parë janë mbajtur për Barack Obamën e çiftin e yjeve Beyonce dhe Jay-Z.