Shqiptarët të fuqishëm në Ballkan: Tre ministra shqiptarë në një takim në Vjenë (FOTO)

Se sa të fuqishëm janë shqiptarët në Ballkan, tregojnë edhe fotot e takimit të Ministrave për Çështje Evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, organizuar nën ombrellën e Gernot Blumel, ministrit Federal për Çështje Evropiane të Austrisë në zyrën e Kancelarit Sebastian Kurc, tregon një detaj interesant.

Nga gjashtë ministrat e Ballkanit, tre janë shqiptarë: Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për eurointegrime i Maqedonisë së Veriut, Dhurata Hoxha, ministre e integrimit e Republikës së Kosovës, si dhe Sokol Deda, zëvendësministër për Europë i Republikës së Shqipërisë.

“Nuk ekziston alternativë për ardhmërinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përveç anëtarësimit në BE dhe NATO. Kjo paraqet ardhmëri të përbashkët, mundësi të vetme për Evropë stabile, të sigurt dhe me prosperitet”, shkruan në profilin e tij në Facebook, Bujar Osmani.

Në këtë takim ka qenë edhe ministrja serbe për Integrime evropiane, Jadranka Joksimoviq, ministri për Evropë i BeH, Igor Crnadak, si dhe Zoran Jankoviq, zëvendësministër për Evropë i Malit të Zi. Në ndërkohë, nikoqir i takimit ka qenë ministri Federal për Çështje Evropiane të Austrisë, Gernot Blume, si dhe ministri për Evropë i Rumanisë, Viktor Mikula, njëherësh kryesues i BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm.