Shqiptarët s’i ndalin festimet me armë, tre të arrestuar në Gjakovë

Ngritët angazhimi policor në parandalimin e përdorimit të armëve të zjarrit në ahengje të ndryshme gjatë sezonit veror

Në kuadër të angazhimeve policore në zbatimin e planit operativ “Sezoni veror”, përkatësisht të fushatës me moton “Festo me zemër, jo me armë”, gjatë ditëve të fundit, njësitet policore në rajonin e Gjakovës, kanë reaguar në disa lokacione ku kishte informacione për të shtëna me armë zjarri në ahengje të ndryshme.

Veprimet policore ishin orientuar drejt identifikimit të lokacioneve ku ishin dëgjuar të shtënat, në dy lokacione në qytetin e Gjakovës dhe një në fshatin Marmull, ku si rezultat i reagimit të shpejtë të njësive policore ka rezultuar që në ato lokacione të konfiskohen tri armë të cilat dyshohet se janë përdorur në ahengje familjare.

Në cilësi të të dyshuarve janë arrestuar tre persona, të cilët dyshohet se kanë përdorur armët në ahengje familjare, ndërsa pas procedurave intervistuese tre të dyshuarit me urdhër të prokurorit janë liruar për procedurë të rregullt.

Gjatë gjashtë mujorit të fundit stacionet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë kanë konfiskuar mbi tridhjetë armë të mbajtura pa leje dhe një sasi të konsiderueshme të municionit që ndërlidhen me raste të ndryshme.

Prandaj Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë apelon te qytetarët që të shmangin veprimet e tilla të kundërligjshme të cilat paraqesin rrezik për individët që i përdorin dhe për qytetarët në përgjithësi.

loading…