Evropë

Shqiptarët përfitojnë numrin më të madh të lejeqëndrimeve në Evropë

Të dhënat e publikuara nga Instituti Evropian i Statistikave flasin se qytetarët shqiptarë janë përfituesit më të mëdhenj nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor për vitin 2017 të lejeqëndrimeve në vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas Eurostat, gjatë vitit 2017 numri i lejeve të qëndrimit të lëshuara për shqiptarët nga vendet e Bashkimit Europian është 51 mijë e 685 vetë. Numrin më të madh të lejeqëndrimeve për shqiptarët e kanë dy vendet fqinje, Italia me 19.100 dhe Greqia me 16.468 dhe më pas Gjermania 6100 dhe Franca 1180. Numri i lejeqëndrimeve të lëshuara në 2017 shënon një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2016, ku ishin shënuar rreth 59.000 lejeqëndrime.

Të dhënat e Eurostat flasin se pjesa më e madhe e lejeqëndrimeve për shqiptarët, rreth 29 mijë, u dhanë për arsye familjare, rreth 2.000 për arsye shkollimi dhe 5.000 për arsye pune.

Ndërkohë, në vend të tretë nga vendet e rajonit për numrin më të lartë të lejeve të qëndrimit në vendet e Bashkimit Europian renditet Kosova. Gjatë vitit 2017-s nga vendet e Bashkimit Europian janë dhënë 26 mijë leje të reja qëndrimi për shtetasit nga Kosova, pjesa më e madhe e të cilave për arsye familjare, raporton Zëri i Amerikës.

Viteve të fundit tendencat e emigrimit të qytetarëve shqiptarë vijojnë të mbeten të larta. Sipas Eurostat më shumë se gjysëm milionë shqiptarë (gati 19,5% e popullsisë së vendit) janë pajisur me lejeqëndrimi në vendet e Bashkimit Europian në dhjetë vitet e fundit. Numri më i madh i lejeqëndrimeve të lëshuara për shqiptaret u shënua në vitn 2008, me rreth 99 mijë lejeqëndrime dhe numri më i vogël në vitin 2013, me rreth 31 mijë.