Shqiptarët nuk po gjejnë paqe me tërmetet! Qindra qytetarë dalin në rrugë dhe lulishte

Pas tërmetit 4.4 ballë të shkallës Rihter, qindra qytetarë kanë dalë nga banesat e tyre në Tiranë, të frikësuar nga lëkundjet që sërish tronditën kryeqytetin dhe rrethinat.

Shumë qytetarë kanë vendosur të dalin nga banesat, ashtu siç sugjerojnë fotot e mëposhtme.

E sikur të mos mjaftonte tërmeti prej 4.4 ballës, një lajm i rremë ka qarkulluar me shpejtësi në median sociale dhe në disa portale, ku i vihej në gojë sizmiologut grek Akis Tselentis fakti se në orën 23:30 Shqipërinë do ta godasë një tërmet prej 6 ballësh të shkallës Rihter.

Autoritetet kanë reaguar me shpejtësi në lidhje me lajmin, duke e hedhur poshtë si një “fake news” me qëllim për të sjellë panik mes qytetarëve. Madje Ministra e Mbrojtjes ka deklaruar se do të ndiqet penalisht kushdo që ka publikuar një lajm të tillë të pavërtetë.

REAGIMI I MINISTRISE:

“Prej disa minutash qarkullon në disa portale dhe rrjete sociale një lajm i rreme mbi parashikimin e një tërmeti me përmasa, në orën 23.30. I bëjmë thirrje të gjithë qytetareve, të mos bien pre e njoftimeve të tilla keqdashëse dhe përhapës paniku pasi nuk ka asnjë parashikim të tille shkencor nga asnjë institucion shkencor. Të gjithë ata që kanë përhapur këtë lajm do të mbajnë përgjegjësi penale”, njofton ministria e Mbrojtjes.