Në një intervistë me Ballkani.info kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik, Shqiprim Musliu, ka folur lidhur me situatën aktuale politike dhe atë të sigurisë në Luginë të Preshevës.

Musliu, ka potencuar që situata në Luginë të Preshevës vazhdon të mbetët jo e mirë për shqiptarët, ngase atje vazhdon pozicionimi i forcave speciale e xhandarmërisë serbe.

Ndër të tjera Musliu, thekson se ideja e aktualizuar nga presidenti Thaçi për korrigjim të kufijve, ishte njëherit edhe ide e veprimtarit kombëtar, Jonuz Musliu, babait të Shqipërimit.

Ballkani.info: Cila është situata aktuale politike dhe e sigurisë në Luginë të Preshevës?

Shqiprim Musliu: Ka vite që situata në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë nuk është normale sikur në çdo vend që jetohet e punohet. Me gjashtë stacionime të ushtrisë vetëm në Komunën e Bujanocit, me automjete të rënda ushtarake, nga tri patrolla policore në 10 km rrugë, me fluturime të aeroplanëve ushtarak afër mbi shtëpi… Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së demilitarizimit të UÇPMB-së, shumë të drejta nuk u realizuan dhe diskriminimet vazhdojnë të ndodhin. Beogradi nuk guxon të ndërmarr ndonjë hap hakmarrës në dëm të shqiptarëve pa bërë konsultime diplomatike dhe nga frika e Kosovës kinse për mbrojtje. Gjithashtu, duhet patur parasysh se në të ardhmen mund të ketë lëvizje në dëm të shqiptarëve e sidomos arrestime ndaj individëve apo një grupi të caktuar, të cilët gëzojnë pension e të cilin e jep shteti i Republikës së Kosovës, për ish-veteranët apo invalidëve të ish-UÇPMB-së.
Por, prapë e përsëris se pala serbe nuk guxojnë të ndërmarrin ndonjë veprim pa konsultime diplomatike . Mendoj se projekti jonë për bashkim ka kaluar në disa faza. Ne kemi pas Referendumin një dëshmi e fortë, luftën e UÇPMB-së, Kuvendet e Këshilltarëve të tri komunave etj.

Ballkani.info: Sa është interesimi i spektrit politik shqiptar në Luginë të Preshevës në Lidhje me bashkimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Republikën e Kosovës sipas idesë së presidentit Hashim Thaçi?

Shqiprim Musliu: Interesimi i spektrit politik në Luginën e Preshevës për Bashkim me Kosovën ka qenë i fokusuar dhe i shtrirë në tri mënyra: ndryshe kanë menduar, ndryshe kanë folur, ndryshe kanë vepruar.

Ballkani.info: Meqenëse jeni djali i njërit nga veprimtarët e çështjes kombëtare, Jonuz Musliu, a mund të na shpalosësh iden e tij dhe a përkon me iden e presidentit Hashim Thaçi, korrigjimi i kufijve apo bashkimi i Luginës me Kosovën?

Shqiprim Musliu: Prindi jonë i cili një kohë të gjatë, ka bërë përpjekje demokratike për ngritjen e zërit për të drejtat e shqiptarëve dhe ndaj padrejtësive nga një pjesë e politikanëve, është bërë propagand se idea e tij është e dëmshme. Disa politikan po të kishin bërë përpjekje me projekte, do të fitonim më shumë të drejta ndaj Beogradit zyrtar, aq sa kanë bërë përpjekje kundër nesh si subjekt politik ndryshe dhe sot do t’i kishim rezultatet.

Ballkani.info: A do të pranonit bashkim të pjesshëm të Luginës me Kosovë?

Shqiprim Musliu: Nuk pranojmë assesi copëtim të Luginës së Preshevës, pa Bujanocin e Medvegjën nuk kemi zgjidhje të qëlluar.

Ballkani.info: Si i komentoni thirrjet e Vetëvendosjes për protesta kundër korrigjimit të kufijve?

Shqiprim Musliu: Kauza kombëtare për bashkimin e trojeve shqiptare është e kahmotshme, nuk është diçka e re. Por, projektet për shqiptarët po kalojnë nëpër disa faza. Shpresojmë që fati i Kosovës mos të jetë si ai i Bosnjës, siç e kundërshtonte Vetëvendosje përmes veprimeve të saj. Çdo veprim apo sjellje jo në koordinim me partnerët stragjik të popullit tonë, mund të jetë i dëmshëm. Ndoshta për interesa materiale momentale mund të tingëllojë jo e qëlluar për dikënd, por sakrifica e shumë gjeneratave duhet të shpërblehet me më të mirën; ajo është bashkimi me Kosovën. Projekti për bashkimin e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me Kosovën, në orientim më të gjatë kohor patjetër se duhet të ndodh, por shpresojmë që kjo të ndodh në koordinim me faktorët më të rëndësishëm strategjik. Prindi jonë (Jonuz Musliu) e ka thënë se më së shumti që i ka borxh Luginës së Preshevës është Hashim Thaçi. Idea e tij dhe e Presidentit Thaçi nuk dallon, ajo është Bashkimi me Kosovën. Faktorizimi dhe aktualizimi i temës së Bashkimit me Kosovën në instanca ndërkombëtare ka munguar, edhe pse vazhdimisht është ngritur si çështje nga prindi jonë Jonuz Musliu.

Ballkani.info: Cili është mesazhi Juaj për spektrin politik në Kosovë dhe Luginë të Preshevës?

Shqiprim Musliu: Mendoj se thirrja për të gjithë duhet të jetë e njejtë, si për njerëzit me pushtet por edhe për popullin në përgjithësi. Duke filluar nga nxënësit e deri tek më të pushtetshmit, duhet të punojmë për të njejtin ideal.