Shqipëria pushton tregun e perimeve në Serbi

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Popullore serbe, Miroslav Aleksiq, tha sot se prodhuesit e perimeve nga Shqipëria po “pushtojnë tregun serb” dhe për këtë arsye shteti duhet “të mbështesë më agresivisht” fermerët vendas me stimuj dhe vendosjen e taksave.

“Akciza duhet të futet jo vetëm për qumështin por edhe për perimet dhe mbrojtja më e madhe për fermerët vendas është ndihma shtetërore në formë stimulimi. Buxheti i këtij viti për stimuj, kur i hiqen borxhet e shtetit nga vitet e kaluara është 50 miliardë dinarë dhe duhet të jetë së paku 100 miliardë dinarë në vit”, tha Aleksiq në seancën e Komisionit të Kuvendit të Serbisë për Bujqësinë, transmeton Ballkani.info.

Siç njoftoi Partia Popullore, Aleksiq theksoi se nuk duhet të mbyllen më ferma të lopëve, derrave apo pemishteve.

“Për të parandaluar këtë, masat dhe programet për mbështetjen e bujqësisë duhet të jenë të qarta dhe të parashikueshme. Bujqësia do të mbijetojë nëse të rinjtë që jetojnë në fshat vendosin të vazhdojnë prodhimin. Nëse ata largohen dhe ky trend ekziston, atëherë fshati do të mbetet i vjetër dhe bujqësia do të shuhet, gjë që është një rrezik real”, shtoi Aleksiq.

Aleksiq tha se një problem i madh është se shumë qeveri lokale “nuk e kuptojnë rëndësinë e bujqësisë, kështu që panairet dhe koncertet e Vitit të Ri janë shumë për ta”, duke thënë se në Raçë komuna ndan pesë milionë dinarë për bujqësi në vit, dhe Buxheti i organizatës turistike është 13 milionë dinarë.

Ai ka pyetur ministren e Bujqësisë, Jelena Tanaskoviq se kur do të shpallen tenderët për stimulim për këtë vit, pasi në vitet e kaluara janë shpallur edhe në fund të vitit. /Ballkani.info/