OKB

Shqipëria mbyll mandatin në Këshillin e Sigurimit

Shqipëria ka mbyllur ditën e sotme zyrtarisht mandatin e saj dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke përmbledhur kështu një prej arritjeve më madhore të diplomacisë shqiptare, që krimit të shtetit.

Një fjalë të posaçme lidhur me këtë e ka mbajtur edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili për të fundit herë i është adresuar anëtarëve të tjerë të Këshillit, në cilësinë e anëtarit.

“Ndërsa Shqipëria përfundon mandatin e saj të parë dyvjeçar si anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit, dëshiroj të ndaj, me një krenari të veçantë, këtë mesazh nga kjo Dhomë, ku gjatë dy viteve të fundit, vendi ynë ka punuar së bashku me anëtarë të tjerë dhe ka luajtur një rol aktiv në ndjekjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”, ka parashtruar fillimisht ai.

Më tej, Hasani ka theksuar se Shqipëria është udhëhequr nga parimet dhe vlerat e saja, si edhe ka luajtur një rol dinjitoz, i cili është vlerësuar nga të gjithë, përfshirë miqtë dhe aleatët, si dhe nga shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare.

Për Hasanin, Tirana zyrtare ka bërë punën e saj, duke marrë përsipër më shumë përgjegjësi, edhe nëse kjo do të thoshte t’u dilej përballë vendeve të mëdha dhe lojtarëve globalë.

“Për Ukrainën, si bashkëpenëmbajtës me Shtetet e Bashkuara, ne mbrojtëm fort e me vendosmëri kauzën ukrainase, sepse ajo ishte e drejtë, sepse ajo përfaqëson gjithçka të rëndësishme për ne”, vijon ai.

Po ashtu, përmend edhe faktin se përgjatë dy viteve, Shqipëria ngriti me vendosmëri avancimin e agjendës së grave për paqe dhe siguri, respektimin e plotë të ligjit ndërkombëtar, të drejtave të njeriut dhe llogaridhënien, ndryshimet klimatike, sigurinë kibernetike, agjendën rinia paqja dhe siguria, si dhe përmirësimin e metodave të punës së Këshillit të Sigurimit.

“Mbi të gjitha, ne arritëm të sjellim një zë të fortë dhe të besueshëm në Këshillin e Sigurimit, duke rritur profilin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke çimentuar partneritetet tona strategjike dhe duke forcuar pozicionin tonë si një aktor i besueshëm dhe aktiv në rajon, e një aleat dhe partner i besueshëm për Bashkimin Evropian”.

Një falënderim të veçantë e ka çuar edhe për ekipin shqiptar në OKB, të udhëhequr nga ambasadori Ferit Hoxha, si edhe të gjithë shërbimin e jashtëm shqiptar.

“Ndaj me çdo shqiptar kudo ku ndodhen, nderin e pamasë që kemi përfunduar me sukses një nga detyrat më impenjuese në politikën e jashtme, mandatin dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit në kohëra kaq sfiduese për mbarë globin”, përmbylli Hasani.

VIDEO BONUS: Rinia e PDK-së e quan Kurtin “babadimër të skandaleve”