Ministria shqiptare e Mbrojtjes ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake.

Strategjia e Qeverisë, e shpallur nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, është e qartë: Tirana dëshiron të tërheqë investitorë të huaj për të lejuar kompanitë të nxjerrin në treg produkte të reja.

“Do të jetë një proces që synon promovimin e inovacionit. Nuk presim më që industria të zhvillohet nga shteti, por duke tërhequr investitorë nga NATO”, tha Peleshi në Kuvendin e Shqipërisë.

Me këtë lëvizje, qeveria shqiptare i bashkohet një numri në rritje të vendeve evropiane që shtojnë përpjekjet për të rritur prodhimin e municioneve pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Peleshi shpjegoi se, Ministria e Mbrojtjes ka nisur tashmë punën për projektin e rinisjes së tre fabrikave, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s.

Tirana ndaloi prodhimin e armëve dhe municioneve në fabrika pas rënies së regjimit komunist.

Ambientet e prodhimit janë ndërtuar në vitet 1960 dhe ndodhen në Poliçan, Elbasan dhe Gramsh.

Dy fabrikat e fundit u shndërruan në uzinat e çmilitarizimit, ndërsa uzina e Poliçanit u mbyll plotësisht.

Në relacionin shpjegues që shoqëron projektligjin thuhet se ka për qëllim të shërbejë si akt themelimi për shoqërinë KAYO sh.a.

Kështu, nëpërmjet kësaj nisme bëhet e mundur krijimi i një strukture të re në formën e një shoqërie tregtare më të gjitha kapacitetet e nevojshme për të ndërvepruar në tregun e sotshëm kombëtar dhe ndërkombëtar.

“Vetëm përmes një shoqërie të tillë mund të aktivizohen dhe funksionojnë mekanizmat e nevojshëm për rivitalizimin e kapaciteteve të trashëguara të industrisë ushtarake, – në kuadrin e dinamikave aktuale në ambientin ndërkombëtar strategjik të sigurisë, vendimet dhe standardet e NATO-s”.

Me këtë hap do të hidhet gurthemeli drejt rivitalizimit të industrisë ushtarake – ku Shqipëria ka trashëguar nga e kaluara një industri ushtarake e cila sot nuk ushtron veprimtarinë e saj dhe si rrjedhojë nuk mund t’i përgjigjet kërkesave të FARSH-it.

Më tej, procesi ka për qëllim të nxisë inovacionin dhe zhvillimin teknologjik në fushën e industrisë së mbrojtjes, nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me sektorin privat.

E gjitha kjo vjen në një kohë kur dinamika gjeopolitike e dy viteve të fundit ka sfiduar bazën industriale globale të mbrojtjes, duke shkaktuar ndërprerje në zinxhirët e furnizimit, mungesë të fuqisë punëtore, shoqëruar kjo edhe me një kërkesë tepër të lartë globale për sisteme armatimesh dhe municionesh të kalibrave të ndryshëm.

Sipas projektligjit, shoqëria shtetërore do të ketë të gjitha kapacitetet e saj juridike dhe financiare për të funksionuar në përputhje me objektivat që i cakton ky projektligj për zhvillimin e industrisë ushtarake në vend.

Ringritja e industrisë ushtarake në vend do të kërkojë një qasje të integruar dhe të koordinuar që adreson jo vetëm aspektet teknologjike dhe operative, por edhe ato ligjore, financiare, ekonomike, sociale dhe ambientale.

Për këtë arsye, krijimi i një shoqërie shtetërore që do të funksionojë sipas legjislacionit në fuqi për shoqëritë tregtare, sikurse dhe dispozitave të këtij ligji, është hapi i parë i nevojshëm për përmbushjen e një synimi strategjik të tillë.

Ministria thotë se fondet momentin e krijimit të kësaj shoqërie janë në vlerën 300 milionë lekë dhe do të përballohen nga fondi rezervë.

Synimi strategjik për modernizimin e industrisë së mbrojtjes në përputhshmëri me standardet e NATO-s është “jo vetëm i nevojshëm për të rritur kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë, por edhe për të forcuar pozicionin strategjik të vendit në rajon dhe në skenën ndërkombëtare të sigurisë, si dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik”.

Në përfundim ministria thotë se Shqipëria, ashtu edhe si të gjitha vendet e tjera aleate, ka si detyrim të rrisë kapacitetet operacionale dhe nivelin e rezervës në municione dhe armatime, për t’iu përgjigjur ndryshimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë dhe mbështetur ekzekutimin e “familjes së planeve” të shkurajimit dhe mbrojtjes në zonën euroatlantike.