Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke kritikuar opozitën për, siç ka thënë ajo, “ndërhyrjen” gjatë ditëve kur mërgata ndodhet në Kosovë.
Përmes një postimi, Mehmeti-Selimi ka pretenduar se veprimet e opozitës lidhen më shumë me mërgimtarët dhe praninë e tyre në Kosovë sesa me përplasjet politike me subjektin fitues të zgjedhjeve.
“Ndërhyrja brutale e opozitës në ditët e Mërgatës në Kuvend është para së gjithash, mllefi ndaj vizitorëve (Mërgimtarëve) sesa kundër fituesit të zgjedhjeve”, ka shkruar ajo.
Deputetja e VV-së ka akuzuar kundërshtarët politikë se janë të shqetësuar nga mundësia që zgjedhjet të zhvillohen në një periudhë kur diaspora ndodhet në Kosovë.
Sipas saj, prania e mërgimtarëve rrit numrin e qytetarëve që mund të marrin pjesë në procesin zgjedhor.
“I gjithë paniku i humbësve serial të zgjedhjeve lidhet me frikën se mos zgjedhjet po ndodhin pikërisht në kohën kur Kosova ka më shumë votues, pra kur mërgata jonë është në Kosovë”, ka deklaruar Mehmeti-Selimi.
Në fund, ajo ka thënë se, sipas vlerësimit të saj, kundërshtarët politikë më së shumti i frikësohen votës së qytetarëve.
“Duket se frika më e madhe e tyre është vota e qytetarëve”, ka shkruar deputetja e VV-së.







