Shqetësuese: 25 punëtorë humben jetën për 16 muaj në vendet e tyre të punës

Rastet e vdekjeve në vendin e punës kanë filluar të shpeshtohen. I fundit ndodhi në Mitrovicë ku 27 vjeçari u zu në gërmadha derisa ishte duke punuar në një objekt të vjetër.

Për Ballkani.info kryeinspektori Basri Ibrahimi tha se rastet e vdekjeve në vendin e punës vazhdojnë të mbesin shqetësim , edhe pse sipas tij krahasuar me vitin e kaluar tash qëndrojmë më mirë sa i përket kushteve në punë.

“Siç e dini edhe ju vet ne i kemi shpeshtuar shumë vizitat në terren, dhe kemi urdhëruar që në objektet ndërtimore të vendosen skelet, për punëtorët e ndërtimit”, pohoi Ibrahimi.

Vetëm gjatë vitit 2018-të 22 vdekje janë shënuar në vendin e punës ku 7 prej tyre ishin rrëzuar nga kate të larta derisa ishin duke punuar në ndërtim.
“Ndërkaq këtë vit, nga janari e deri më tani janë shënuar tri raste të vdekjeve në vendin e punës, një që u zu nga objekti dhe dy në fusha të tjera”, shtoi Ibrahimi.

Kontrollet intensive nga inspektorati i punës janë duke vazhduar në shumë qytete të Kosovës si Ferizaj, Gjilan , Prizren , Prishtinë e të tjera. /Ballkani.info/