Edhe pse vazhdon të jetë një ndër komunat e paprekura nga koronavirusi në Kosovë, në Novobërdë po vazhdon të jetë shqetësues numri i vogël i zyrtarëve policorë të cilët po operojnë në këtë pjesë të Kosovës.

Këtë e kanë bërë të ditur edhe nga komuna e Novobërdës, kanë thënë se numri i policëve të cilët po e menaxhojnë këtë situatë në të cilën po ndodhemi, në këtë pjesë është diku rreth 30, e nëse ndahen në ndërrime, i bie se rreth shtatë policë punojnë në një ndërrim, në tërë zonat e kësaj komune.

“Më së vështiri në këtë proces e kanë policia e Kosovës, stacioni në Novobërdë për arsye se kanë një staf jashtëzakonisht të vogël karshi territorit. Pra, kanë diku rreth 30 policë që e menaxhojnë një territor me 204 km katror. Nëse i ndajmë në ndërrime nuk i bje të ketë as nga 7 policë në ndërrim dhe si me menaxhu një territor aq të madh me kaq pak policë, por fal punës së mirë që po e bënë komandanti z.Gani Huruglica situata tash për tash është e mirë”, thuhet në përgjigjen e kësaj komune drejtuar Metros.

Tutje është bërë e ditur se edhe pse rreth 57 qytetarë të komunitetit serb në këtë komunë, ishin të dyshuar se janë prekur nga pandemia Covid-19, si pasojë e vizitave të tyre në Serbi, me të ardhur në Kosovë rreth datave 15-18 mars, janë vetizoluar, gjë që tashmë konsiderohet se janë mirë, meqë ka kaluar më shumë se një muaj që nga ky dyshim dhe nuk kanë shfaqur asnjë simptomë të këtij virusi.

Kujtojmë se më 14 mars në këtë komunë është themeluar komiteti emergjent për menaxhimin e situatës së krijuar nga kjo pandemi, ku vazhdimisht janë mbajtur takime të rregullta se si të veprohet në rast se ka rrezik nga infektimi.