Shqetësimi i thellë i ndërkombëtarëve për tensionet në veri | Kjo është gjendja reale

Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ata të Britanisë së Madhe në Prishtinë dhe Beograd kanë reaguar përmes deklaratave të përbashkëta për situatën në veri të Kosovës.

Ambasadorët e SHBA-së dhe Britanisë kanë kërkuar që menjëherë të largohen barrikadat e vendosura në veri.

Më poshtë lexoni deklaratën e përbashkët të Ambasadave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe Beograd:

Deklaratë e Përbashkët e Ambasadave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd dhe Prishtinë për situatën në veri të Kosovës, 11 dhjetor 2022

Ata që ngritën barrikada të paligjshme duhet t’i heqin ato menjëherë. Ne presim që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit. Ne shprehim mirënjohjen dhe mbështetjen tonë të plotë për Misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR) në përpjekjet e tij për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes, si dhe dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare.

U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen maksimalisht, që të marrin masa të menjëhershme për të arritur një de-përshkallëzimin e situatës dhe të përmbahen nga aktet provokuese. Ne i nxisim palët të punojnë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet shqetësuese.

Më poshtë lexoni deklaratën e përbashkët të Ambasadave të Britanisë së Madhe në Prishtinë dhe Beograd:

Së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, ne shprehim shqetësimin tonë të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës pas ndalimit të një individi të dyshuar për përfshirje në një sulm ndaj autoriteteve kosovare. Ky arrestim nuk është justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve, as kërcënime dhe frikësim ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale

Ne presim që të gjitha pengesat ilegale të çmontohen dhe t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit. Ne vlerësojmë dhe mbështesim plotësisht Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) në punën e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe kontributin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) në mbështetjen e autoriteteve kosovare për sundimin e ligjit. Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare

U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin retorikën nxitëse dhe të marrin masa të menjëhershme për të arritur një de-përshkallëzimin e situatës. U bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që të veprojnë me përmbajtje dhe që autoritetet e Serbisë të përdorin ndikimin e tyre për të arritur një deeskalim të situatës. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është mjeti për të zgjidhur konfliktet dhe për të arritur një marrëveshje për marrëdhëniet e normalizuara.

Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë, shpërndau të dielën në Twitter deklarateën e ministres së jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Kryediplomatja gjermane deklaroi se Kosova ka shtyrë zgjedhjet lokale, ndërkaq Serbia ka vazhduar të rris tensionet – duke mos vepruar njëjtë si Kosova në atë situatë të tensionuar.

Më të pajtohet plotësisht ambasadori gjerman në Kosovë.

“Fjalë të qarta kristal nga ABaerbock + Dënim po aq i qartë nga BE, SHBA, Britania e Madhe: Ne tregojmë zero tolerancë për çdo dhunë dhe përshkallëzim. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE i udhëhequr nga MiroslavLajcakështë e vetmja rrugë përpara”.

Gjatë ditës ambasadat e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe në Prishtinë dhe Beograd kanë reaguar duke kërkuar nga serbët lokalë që të largojnë barrikadat.

Por presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk është shprehur pro kësaj kërkese pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Ai ka akuzuar perëndimin që po e ndihmon Kosovën duke e lejuar sipas tij “mosrespektimin” e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe atë të Uashingtonit.

Shefja e diplomacisë gjermane, Analena Baerbock ka reaguar për situatën e krijuar në veri të Republikës së Kosovës, me serbët lokalë që kanë bllokuar rrugët, ndërkohë s’kanë munguar as sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të EULEX-it.

Baerbock ka thënë se Kosova duke vendosur për shtyrje të zgjedhjeve ka kontribuar në reduktimin e tensioneve, ndërkohë ka fajësuar Serbinë dhe Vuçiqin se me retorikën e tyre kanë bërë të kundërtën.

Ajo thotë se është plotësisht e papranushme retorika e Aleksander Vuçiqit dhe zyrtarëve të tjerë serbë për dërgimin e trupave ushtarake serbe në Kosovë.

Edhe sulmet ndaj EULEX-it thotë se janë të papranueshme gjithashtu. Në fund ajo ka thënë se përkrah dialogun e ndërmjetësuar nga Miroslav Lajcak.

Shefi i Misionit Evropian për Sundim të Ligjit, Lars Gunnar- Wigemark, tha se dhuna në veriun e Kosovës duhet të ndalet urgjentisht.

Gunnar-Wigemark këtë porosi e dha gjatë një interviste për Asociated Press.

Ai tha iu bëri thirrje palëve të tërhiqen nga ky turp.

“Kjo dhunë duhet të ndalojë urgjentisht. Ne ju bëjmë thirrje për qetësi dhe të shmanget çdo lloj i provokimit. Nga kjo situatë nuk përfiton askush. Duhet dialog dhe është e nevojshme se duhet të tërhiqen nga ky turp”, tha ai.

Shefi i EULEX-it tha se fokusi duhet të jetë në dialog e jo kjo çka po ndodh në rrugët e Mitrovicës.

“Ka një propozim të ri që është paraqitur nga Bashkimi Evropian, me mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë dhe gjithashtu të Shteteve të Bashkuara dhe fokusi duhet të jetë tani në këtë. Fokusi duhet të jetë në bisedime, në negociata, jo në atë që po ndodh në rrugët e Mitrovicës, apo në rrugët që çojnë në Leposaviq, apo në pikat e tyre të përbashkëta të kalimit”, tha shefi i EULEX-it.

Ai foli edhe për luftën e cila po zhvillohet në Ukrainë, derisa shtoi se nuk beson se dikush me mendjen e shëndosh do të dëshironte të shihte ndonjë konflikt të ri në këtë pjesë.

“Tani kemi një luftë shumë serioze që po zhvillohet në Evropë, në Ukrainë. Ne kemi parë se kur gjërat e mira kthehen për keq, çfarë mund të ndodhë. Ne ende nuk jemi afër asaj situate këtu në Kosovë dhe nuk mendoj se dikush me mendjen e duhur do të donte të shihte një konflikt të tillë të shpërthejë edhe në këtë pjesë të Evropës. Kështu që ju lutemi mos mendoni vetëm për të shënuar pikë dhe për të ushtruar disi presion. Mendoni për njerëzit tuaj. Mendoni për njerëzit në terren”, shtoi ai.

Ndërkaq, mbrëmë në veri të Kosovës u sulmua një njësit i EULEX-it.