Shpunësimi më i madh i pasluftës| RTK largon nga puna 140 punëtorë

Qindra punëtorë të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), të cilët kanë qenë të angazhuar me Kontrata për Shërbime të Veçanta, së fundmi janë larguar nga puna.

Ushtruesi i detyrës i drejtorit të përgjithshëm të televizionit publik, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka thënë se  paraprakisht do të hiqen 60 për qind e 239 të punësuarve me kontrata për shërbime. E shprehur në numra, nga 239 në më pak se 100, apo rreth 140 të punësuar më pak.

Ky llogaritet si largimi më masiv nga puna në Kosovë, shkruan Demokracia.com.

Demokracia.com për largimin e tyre nga puna ka dërguar pyetje në Bordin e RTK-së dhe menaxhmetin e tij.

Përderisa nga Bordi kanë thënë se pyetjet duhet t’i drejtohen menaxhmentit, drejtuesit e RTK-së nuk kanë dhënë asnjë përgjigje për Demokracia.com.

“Pyetjet lidhur me të dhënat dhe informacionet e kërkuara duhet t’i dërgoni në menaxhmentin e RTK-së”, kanë thënë nga ky Bord.

E u.d së drejtorit të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka thënë se këto kontrata nuk do të aplikohen më pas datës 31 mars.

Radiotelevizioni i Kosovës nuk parashikon rritje të numrit të të punësuarve në vitin 2022, por përkundrazi një zvogëlim të konsiderueshëm. Në projeksionin buxhetor për këtë vit është paraparë një zvogëlim i stafit në kategorinë e të punësuarve me kontrata për shërbime me rreth 60 për qind. E shprehur në numra nga 239 në më pak se 100, apo rreth 140 të punësuar më pak. Këto lloj kontratash që janë vazhduar për disa vite nga menaxhmentet e kaluara, nuk do të aplikohen më pas datës 31 mars 2022. Pozitat esenciale të punës në RTK që gjer tani janë kryer nga kjo kategori do të plotësohen me staf të rregullt, me konkurs publik, pas një analize të hollësishme të çdo pozitë ekzistuese, veç e veç”, ka thënë Ahmetgjekaj për Kallxo.

Por, menaxhmenti i ri i RTK-së nuk ka paraparë vetëm largime. Ky menaxhment planifikon që vitin 2022 të rekrutojë edhe 98 punëtorë.

Në projeksionin buxhetor për 98 punëtorët që parashihet të rekrutohen janë paraparë 536 mijë e 631 euro.

Ky projeksion, i cili është  miratuar në bordin e RTK-së, ka paraparë që të ketë të hyra 10 milionë e 537 mijë euro. Nga to 8 milionë e 960 mijë euro të ndara nga buxheti i Kosovës.

Në projeksion-buxhetin e RTK-së thuhet se 8 milionë e 854 mijë euro do të shkojnë për paga, kontrata kolektive, mëditje, kontributet dhe tatime.

Projeksion Buxheti i RTK-së për vitin 2022

2 milionë e 240 mijë euro më pak i ka ndarë Qeveria e Kosovës RTK-së për vitin 2022.RTK-ja për vitin 2021 kishte pasur 11.2 milionë euro buxhet për të shpenzuar.

Më 19 janar bordi i RTK-së kishte shkarkuar drejtorin gjeneral, Ngadhnjim Kastrati. Në arsyetimin e vendimit për shkarkim thuhet se Kastrati kishte dështuar për tre vite rresht të hapë konkurse për të rekrutuar punëtorët e nevojshëm për funksionim siç duhet të RTK-së.

Gjatë vitit të kaluar deputetët kishin kritikuar numrin e madh të punëtorëve në RTK.

Në atë kohë drejtori i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, kishte thënë para Komisionit për buxhet se planifikon të rrisë numrin e të punësuarve në RTK.Sipas të dhënave nga projeksioni buxhetor për vitin 2022 në RTK janë rreth 760 punëtorë.

Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës ka deklaruar gjatë javës së kaluar se rreth 150 persona janë duke punuar pa kontrata pune në këtë  institucion tash e 21 ditë. Sipas kësaj Sindikate cilido veprim i bordit të RTK-së do të jetë shkelje ligjore për shkak se nuk ka dhënë përgjigje me kohë për këtë çështje.