Gjykata e Pejës

Shpjegimi i prokurorit se pse villat e Brezovicës u kthyen te pronarët

Disa javë më parë, Gjykata e Pejës mori vendim që villat e sekuestruara në rastin “Brezovica” të kthehen te pronarët deri në përfundim të procedurës.

Prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku, ka shpjeguar procedurën se si villat e sekuestruara janë kthyer tek pronarët. Ai ka treguar se gjykata kishte liruar villat nga sekuestrimi duke u thirrur se kërkesa e Prokurorisë është e paafatshme.

“Pasi është përmbyll kjo çështje ne vetë kemi propozuar që këto vikend-shtëpiza t’iu dorëzohen pronarëve, poseduesve në menaxhim deri sa të vendos gjykata dhe këtë në bashkëpunim me drejtorinë përkatësisht me drejtorin e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe pamundësinë e tyre që ato t’i menaxhojnë” – ka thënë Maloku.

Ai ka shtuar se lirimi nga sekuestrimi nuk nënkupton që në të ardhmen villat nuk do të konfiskohen.

“Nuk do të thotë se ato villa nuk mund të propozohen të konfiskohen meqenëse masat për sigurimin e pasurive janë sikur masat për sigurimin e prezencës së të pandehurve dhe nuk do të thotë se lirimi nga paraburgimi që është i pafajshëm mirëpo ai ka qenë më tepër lajm mediatik sepse u liruan villat e Brezovicës” – thotë Maloku.

Mbi 100 prona ishin sekuestruar në rastin “Brezovica” pasi të njëjtat dyshohet se janë ndërtuar në zona të ndaluara dhe bazuar në korrupsion.

Sipas dëshmive të publikuara në hulumtimin për “Dosjen e Korrupsionit në Brezovicë” për shumicën e ndërtimeve ishin paguar 8-10 mijë euro, para këto që kishin shkuar për pushtetarët e Shtërpcës dhe Qeverisë e Kosovës.

Prourori Maloku që po e heton rastin ka thënë në KallxoPernime se në fund të procesit sërish do të kërkohet që villat të rrënohen dhe konfiskohen për shkak se janë të ndërtuara kundërligjshëm./Kallxo.com