Shpifjet dhe fabrikimet në Shqipëri, luftë e dëshpëruar për pushtet

“Statistikat flasin qartë se ku ishte dhe ku është vendi në raport me krimin vit pas viti, por lufta e egër politiko- mediatike për të krijuar perceptimin e kundërt as do të ndalet dhe as do të zbutet, pasi kjo quhet luftë e dëshpëruar për pushtet”.

Kështu deklaroi sot, kryeministri Edi Rama në një takim me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit, ndërsa kërkoi që kjo e fundit t’i mbledhë të gjitha fuqitë e energjitë duke e ngjitur në një shkallë tjetër.

Kriza ulëritëse e politikës që synon të helmojë gjakun dhe të errësoj sytë e publikut, sipas Ramës, mund të sjellë më shumë shpifje, fabrikime e aktorë videosh e audiosh.

“Kjo quhet luftë e dëshpëruar për pushtet e të mbyturit që kërkon të të mbysë me çdo kusht dhe mjet për pushtetin që u mirrka me forcë, kur nuk merret me votë. Por kjo pjesë nuk është pjesa juaj, është pjesa ime dhe e qeverisë. Puna juaj është të kundërpërgjigjeni ndaj kësaj barbarie politike e mediatike me më tepër rezultate se deri më sot”, iu drejtua Rama, strukturave të Policisë së Shtetit.

Kriminaliteti, theksoi Kryeministri, matet me statistika, por vlerësohet edhe me perceptim.

“Për fat të keq po kalojmë një moment kur mbi publikun edhe mbi Policinë e Shtetit është ndërmarrë një ofensivë shpifjesh dhe fabrikimesh, sa të neveritshme edhe të rrezikshme. Bota demokratike i njeh me emrin ‘Fake news’, që përhapen si një virus epidemik falë kanaleve dhe llagëmeve dixhitale. Për botën është diçka e re e ardhur bashkë me epokën dixhitale. Edhe fuqitë më të mëdha po japin e marrin për t’u përballur me këtë mortje. Për ne, e re është vetëm përmasa, sepse shpifja, lajmi i rremë, ka qenë me ne denbabaden në faqet e para të gazetave dhe edicionet informative”, shtoi Rama.