Shpërthimi i koronavirusit të ri tejkalon Sarsin

Numri i rasteve të prekura me koronavirusin e ri ka tejkaluar epideminë e Sarsit, i cili ishte shpërndarë në dhjetëra shtete më 2003.

Në atë vit ishte raportuar për 8,100 raste të prekura me Sars, virus që kishte shkaktuar probleme të rënda me frymëmarrje.

Mirëpo koronavirusi i ri është raportuar të ketë infektuar 9,962 persona, që fillimisht ka shpërthyer në muajin dhjetor në Kinë.

Aktualisht 213 persona kanë vdekur nga ky virus, të gjithë në Kinë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur të enjten emergjencë globale për këtë virus.

Sipas saj, përveç Kinës, në gjithë botën është raportuar për 98 persona të infektuar, por jo edhe për vdekje.