Nancy Pelosi

“Shpërthen” në gjykatë burri që vendosi këmbën mbi tavolinën e Pelosit: “S’është e drejtë, krejt po dalin”

Nga të gjitha fotografitë e bëra më 6 janar, kur përkrahësit e ish-presidentit Trump u futën me forcë në ndërtesën e Capitol-it, një nga më të famshmët është fotografia e një burri me këmbën mbi tavolinë në zyrën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Ai person, i quajtur Richard Barnett, u njoftua nga një gjykatës se do të duhet të qëndrojë në paraburgim deri në seancën e radhës që u caktua për muajin maj, shkruan The Guardian.

Burri që veten e paraqet si nacionalist, filloi t’i bërtiste gjykatësit të qarkut, Christopher Cooper, duke i thënë se nuk është e drejtë që të mbetet në paraburgim.

“Të gjithë të tjerët që bënë gjëra shumë më të këqija tashmë janë në shtëpi. Unë kam qenë këtu që një muaj, ata do të caktojnë një tjetër muaj dhe të gjithë të tjerët po dalin”, tha Barnett para gjykatësit.

Ai u arrestua në janar në vendlindjen e tij, në Arkansas, dhe përballet me një varg akuzash për rolin e tij gjatë dhunës së 6 janarit, përfshirë akuzat për hyrje të dhunshme në ndërtesëe zyrtare, pengim të procedurave zyrtare dhe sjellje penguese.

Foto: AFP

Para se të largohej nga zyra e Pelosit, ky person ishte parë duke mbajtur në dorë një zarf me emrin e mbiemrin e zyrtares së lartë. Ai kishte thënë se ia ka lënë Pelosit një shënim të pistë. Për këtë arsye, Barnett akuzohet edhe për vjedhje të pronës publike.

Qeveria amerikane ka identifikuar më shumë se 250 persona si pjesëmarrës në ngjarjet e 6 janarit. Gjykimet ndaj atyre që kanë aktakuza filluan muajin e kaluar dhe mund të zgjasin disa muaj.