Gaza

Shpërthen hipokrizia në OKB: Ukraina e Rusia i ndërrojnë fytyrat për armëpushimin në Gaza

Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, presidentin e këtij shteti, Volodymyr Zelensky, jemi mësuar ta dëgjojmë duke e dënuar – me të drejtë – agresionin rus ndaj vendit të tij. Ai i ka vajtuar – me plot të drejtë – civilët ukrainas që vriteshin nga sulmet ruse.

Pjesa dërrmuese e botës – me të drejtë – është solidarizuar me të dhe me Ukrainën. Sidoqoftë, duket se presidenti ukrainas nuk e ndien të njëjtën dhembshuri për civilët që po vriten në Gaza nga sulmet e Izraelit. Në anën tjetër, Rusia, që po kryen agresion në Ukrainë, po e luan paqesoren, duke e përkrahur armëpushimin në Gaza. Hipokrizia e të dyja vendeve doli sheshit të premten në OKB.

Rusia e mbështeti rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme me të cilën bëhet thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza, ndërsa Ukraina abstenoi.

Në mesin e shteteve që abstenuan janë edhe Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Greqia, Rumania e Finlanda. Shtetet e Bashkuara e Izraeli votuan kundër kësaj rezolute.

Përmes kësaj rezolute bëhet thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza, lirimin e të gjithë civilëve, mbrojtjen e civilëve dhe të institucioneve ndërkombëtare si dhe sigurimin e kalimit të sigurt të ndihmave në Rripin e Gazës, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Kjo rezolutë nuk është ligjërisht e detyrueshme, por e thekson mbështetjen dërrmuese ndërkombëtare për palestinezët në kohën e fushatës ushtarake izraelite si kundërpërgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor, thekson gazeta izraelite.

Izraeli i shpeshton sulmet

Forcat izraelite kryen bombardime intensive të premten natën në Gaza, duke i ndërprerë linjat e komunikimit dhe të internetit në enklavën e izoluar.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë të premten në mbrëmje se forcat tokësore dhe ajrore po i shtonin operacionet në Gaza. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se në shënjestër të sulmeve ajrore ishin tunelet e Hamasit dhe caqe të tjera, duke i paralajmëruar banorët e qytetit Gaza që të shkonin drejt jugut.

Një këshilltar i lartë i qeverisë izraelite tha se Hamasi “do ta ndiejë zemërimin tonë sonte”. “Sonte do ta fillojmë shpagimin. Kur kjo të përfundojë, Gaza do të jetë shumë ndryshe”- tha ai, raporton gazeta “The Guardian”.

Pas rënies së errësirës, shpërthime të shpeshta nga sulmet ajrore e ndriquan qiellin mbi qytetin Gaza. Gjysmëhëna e Kuqe, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Mjekët pa Kufij, UNICEF-i dhe grupe të tjera të ndihmave thanë se u kishte humbur kontakti me stafin e tyre në Gaza.