“Shpërthejnë” shakatë me foton e treshes së Kosovës në Uashington, Abrashi i shpërndan në Instagram

Gjatë ditës së djeshme, në kohën kur pritej të fillonte raundi i parë i negociatave Kosovë-Serbi në Washington, anëtari i delegacionit kosovar, ministri Arban Abrashi ka gjetur kohë për t’u aktivizuar në rrjetin social Instagram.

Aty, ministri i Infrastrukturës ka shpërndarë një fotografi tij, të realizuar në kryeqytetin e ShBA-ve, në të cilën shfaqet i shoqëruar me kryeministrin Avdullah Hoti dhe zv/kryeministrin Driton Selmanaj.

Fotografia që ai ka shpërndarë, në fakt është një ironi e realizuar në Instagram me fotografinë e treshes së delegacionit të Kosovës që ndodhet në Washington.

“Djem nalnu bre veç pak e bojna ni foto t’ja qoj femnës se nuk po beson që jom me juve”, ka ironizuar një llogari në Instagram me fotografinë të cilën e ka shpërndarë para dy orësh edhe ministri Abrashi.