Kuvendi

Shpërndarja e Kuvendit drejt dështimit: Opozita s’gjen gjuhë të përbashkët

Ideja që doli nga darka mes kryeministrit Kurti e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, duket se është drejt dështimit.

Shpërndarja e Kuvendit tashmë është pak e mundshme. Krejt kjo pasi partitë opozitare nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët që kjo iniciativë të dërgohet deri në fund.

Për AAK-në e LDK-në zgjedhjet e reja duhet të mbahen vetëm pasi kryeministri Kurti të dorëhiqet, ose qeveria të shkarkohet. Mundësia për shpërndarjen e Kuvendit, nuk po pranohet asesi.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së sotme të Kryesisë deklaroi se nëse edhe në dy ditët e ardhshme nuk ka consensus me LDK-në e AAK-në, qeveria do ta dërgojë mandatin deri në fund.

“Në rast se edhe këto dy ditë nuk kemi dakordim që deri të enjten të shpërndahet Kuvendi, ky opsion bjen, dhe qeveria do ta përfundojë mandatin ashtu edhe Kuvendi do ta përfundojë mandatin. Dhe zgjedhjet do të jenë mes 20 janarit e 20 shkurtit. Nëse këto dy ditë nuk kemi dakordim, ne do të preferenonim që seanca të mbahet të mërkurën, por nëse nuk ka dakordim e reflektim, atëherë kjo temë mbyllet dhe Kuvendi vazhdon me agjendën e rregullt. Do të vazhdojmë në masa, në agjendë degraduese, pa agjendë zhvillimore, dhe kjo qeveri e cila ka shkaktuar këto dëme do të përfundojë mandatin dhe qeveria do të ketë qeveri të re pas shkurtit 2025”, tha ai pas mbledhjes së Kryesisë.

“Nuk flitet për dorëzim këtu, ne kemi ndërmarrë një iniciativë si rezultat i një kërkese 1-vjeçare. Nga korriku i vitit të kaluar kemi kërkuar zgjedhje të parakohshme. Nëse edhe dy ditë nuk ka dakordim, vendi i nënshtrohet zgjedhjeve të rregullta. Ne shpresojmë të kemi reflektim që ta shpërndajmë Kuvendin, sepse krijimi i një qeverie të re është në interesin e qytetarëve të Kosovës”, tha deputeti i PDK-së.

E kjo që e tha Tahiri, duket se do të ndodh.

Kjo pasi AAK-ja e LDK-ja edhe sot pas mbledhjes së kryesisë, konfirmuan qëndrimet e tyre se nuk e përkrahin shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

“U morëm me cështje administrative për shkak të pamundësisë që në javët në vazhdim të ketë seanca Kuvendi i Republikës. Planifikimet janë që në dy javët e ardhshme nuk do të ketë seanca. Kjo situatë e re nënkupton se Kuvendi potencialin e vet për këtë session e ka të ezauruar sepse pastaj më 1 gusht përfundon sesioni pranveror. Pra, pres të mos ketë seanca deri në vjeshtë”, tha ai.

“Jo, kjo është renovimi i objektit të Kuvendit. Sa i përket zgjedhjeve ka vetëm një zgjidhje: dorërheqja e kryeministrit. Nëse planifikojmë që vendi të shkojë në zgjedhje, atëherë koha për të kapur mundësinë e zgjedhjeve në korrik, është në momentet e veta të fundit”, deklaroi Gashi.

@ballkani.info LDK s’tërhiqet nga kërkesa për dorëheqjen e Kurtit, Gashi: Është e vetmja zgjidhje #ldk #albinkurti #kurt #kosovo #zgjedhjet ♬ original sound – Ballkani.info

Ngjashëm u shpreh edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i dërgojë një përgjigje me shkrim, ashtu siç e ka dërguar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, për t’i konfirmuar se zgjedhjet do të ndodhin atëherë kur do të shkarkohet kjo qeveri e dëmshme për Kosovën ose me dorëheqjen e kryeministrit. Ajo që bëri këto javë kryeministri Kurti është kjo: ai në ditën kur është dashur që të diskutohet më së shumti për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, po atë natë e lansoi idenë e shpërndarjes së Parlamentit dhe shkuarjes në zgjedhje me të vetmin qëllim që ta mbytë debatin për anëtarësim. Kjo është një papërgjegjësi e madhe. Ai po atë ditë e bëri një akt të paprecedentë, duke u dorëzuar në pozicionin si kryeministër i Kosovës, duke mos punuar që të reflektojë mbi atë se cilat janë sukseset e kësaj qeverie, mirëpo e përdori darkën e Gardenit për të nisur negociatat e kushteve për dorëzimin e tij. Aleanca i thotë që nuk ka negociata dhe nuk ka kushte as kushtëzime për dorëzimin tënd”, deklaroi ai.

Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, ka folur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai ka thënë se nëse ka pajtueshmëri mes grupeve parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit, edhe Vetëvendosja është për.

“Qëndrimi i VV-së është i qartë, ne jemi dakord që nëse ka pajtueshmëri të gjerë të opozitës dhe mazhorancës, për një datë për zgjedhje e shpërndarje të Kuvendit, jemi të gatshëm. Kjo kërkon përfshirjen dhe pjesëmarrjen e opozitës. Data e zgjedhjeve është proces që përfshin të gjitha partitë. Nëse opozita ka pajtueshmëri jemi të gatshëm për ta diskutuar”, tha Rrustemi, raporton Nacionale.

“Ka qenë në rrafshin e pritjeve të saj për seancë të enjten, nuk ka pasur kërkesë që të renditet si pikë shpërndarja e Kuvendit, por nëse opozita dakordohet për mënyrën e shkuarjes në zgjedhje, grupi parlamentar është i gatshëm”, tha ai.