Gjilan

​Shpërndante kokainë, arrestohet 44-vjeçari

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Gjilan, me qëllim të zbardhjes së një rasti, ku një person dyshohet se merrej me trafikim të narkotikëve, kanë ndërmarrë veprime operative dhe hetimore.

Policia e Kosovës gjatë trajtimit të rastit ka ardhur te konstatimi se i dyshuari, E. F., (viti i lindjes 1979, mashkull kosovar), me veprimet e tij ka konsumuar veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Sipas Policisë, i dyshuari gjatë veprimtarisë së shpërndarjes së lëndëve narkotike (kokainës), me qëllim që të mos bije në sy të Policisë, ka përdorur një shtëpi me qira dhe njëkohësisht ka shfrytëzuar vetura nga ‘rent a car’.

“Sot, më 22.09.2023, Policia ka arrestuar personin e dyshuar. Në koordinim me organet e drejtësisë është bërë kontrolli i banesës së të dyshuarit ku janë konfiskuar: 6.4 gramë substancë, që dyshohet të jetë kokainë, 1.5 gramë, dyshohet të jetë marihuanë, para të gatshme, një veturë dhe pesë telefona celularë. Në konsultim me prokurorin kompetent, i njëjti ka urdhëruar që pas intervistimit i dyshuari të ndalohet për 48 orë”, thuhet në njoftim.