Shpërblime e bursa në shtatëvjetorin e pranimit në IOC

Komiteti Olimpik i Kosovës ka shënuar të enjten shtatëvjetorin e pranimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. KOK-u në këtë datë të rëndësishme ka bërë ndarjen e shpërblimeve për sportistët pjesëmarrës në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, ndërsa është bërë edhe nënshkrimi i bursave olimpike për “Parisi 2024”.

KOK-u ka shpërblyer me nga 10 mijë euro kampionet olimpike, xhudistet Nora Gjakova e Distria Krasniqi. Trajnerit të tyre, Driton Kuka, i ka takuar shpërblimi prej 5.000 eurosh, derisa sportistët e tjerë pjesëmarrës në Olimpiadën e Tokios janë shpërblyer me nga 500 euro.

“Sot po e mbyllim ciklin e ‘Tokio 2020’ me dhënien e pinave të IOC-së dhe ndarjen e shpërblimeve prej 500 deri në 10 mijë euro, shuma këto që KOK-u i ka siguruar nga sponsorët. Premitë u ndahen dy kampioneve olimpike, bashkë me trajnerin e tyre, Driton Kuka, si dhe nëntë sportistëve të tjerë që pavarësisht se nuk ishin në podium, dhanë maksimumin e tyre. Me mbylljen e ‘Tokio 2020’, po e hapim rrugën drejt Paris 2024, ku nënshkruam bursa me 22 sportistë të përzgjedhur nga Komisioni i Sportistëve, listë kjo që mund të ndryshojë varësisht nga performanca e tyre, e cila do të monitorohet vazhdimisht nga ky komision”, ka thënë i pari i KOK-ut, Ismet Krasniqi.

Sportistët me potencial për normë olimpike do të mbështeten financiarisht për periudhë prej dy vjet e gjysmë. Do të mbështeten 22 sportistë. 7.500 dollarë në muaj i ndan Solidariteti Olimpik i IOC-së, ndërsa KOK-u shton 1.550 euro në muaj.

“Është kënaqësi e madhe kur në listën e bursave shoh sportistë që ishin edhe në Tokio. Drejt Parisit ju pret një rrugë e gjatë përpara. Ju uroj suksese në procesin përgatitor, jo vetëm juve, por të gjithë sportistëve që kanë për qëllim të përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare. Shpresoj shumë që në Paris të shkojmë me më shumë sportistë, me më shumë norma olimpike dhe të kthehemi me më shumë medalje”, ka thënë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Distria Krasniqi e Nora Gjakova kanë bursë prej 1.000 dollarësh në muaj. Akil Gjakova, Loriana Kuka e Egzon Shala nga 600 dollarë në muaj, ndërsa Erza Muminoviq, Laura Fazliu e Muhamet Ramadani nga 450 dollarë në muaj. Nëntë sportistë mbështeten me nga 300 dollarë në muaj, ndërsa pesë me nga 250 dollarë në muaj.