Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj ka kërkuar që të hetohen deputet që shpenzuan për karburante.

Molliqaj në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se nuk mjafton kërkim falja, as kthimi i parave, por sipas tij duhet që mashtruesit të gjykohen dhe dënohen, përcjell Demokracia.com.

“Kur u publikuan shumat që deputetët e VV i marrin për karburante, fillimisht partia ja la fajet vendimit të vjetër të Kuvendit. Por kur u zunë duke gënjyer edhe për adresat e banimit, filluan të bëjnë bamirësi me para të vjedhura. Askush nuk po përjashtohet nga partia, se lëre më që po gjykohet apo dënohet dikush”, ka shkruar Molliqaj.

Ai ka shkruar më tej se nuk janë disa përjashtime apo gabime individuale.

“Këtu nuk po bëhet fjalë për 3 a 4 deputetë. Nuk janë disa përjashtime a gabime individuale. Fakti qe kaq shumë deputetë janë të përfshirë, kjo prodhon rregullin dhe tregon frymën e brendshme, stërkeqjen dhe babëzinë”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Të hetohen keqpërdoruesit!

Nuk mjafton kërkim falja. As kthimi i parave. As ”humanizmi” me para të keqpërdorura. Mashtruesit duhet të gjykohen e dënohen. Sepse ky është keqpërdorim i pastërt.

Kur Qeveria Kurti u zu në vepër e sipër duke tentuar që t’ia jap tenderin milionësh një kompanie për stikersat e veturave, fillimisht e mbrojtën vendimin e tyre. Pas presionit të publikut, u tërhoqën dhe e anuluan atë vendim. Por, askush nuk u gjykua e as dënua për korrupsion.

Kur u publikuan shumat që deputetët e VV i marrin për karburante, fillimisht partia ja la fajet vendimit të vjetër të Kuvendit. Por kur u zunë duke gënjyer edhe për adresat e banimit, filluan të bëjnë bamirësi me para të vjedhura. Askush nuk po përjashtohet nga partia, se lëre më që po gjykohet apo dënohet dikush.

Këtu nuk po bëhet fjalë për 3 a 4 deputetë. Nuk janë disa përjashtime a gabime individuale. Fakti qe kaq shumë deputetë janë të përfshirë, kjo prodhon rregullin dhe tregon frymën e brendshme, stërkeqjen dhe babëzinë.