Shpend Ahmeti tregon se kur do të hapen çerdhet në kryeqytet

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka njoftuar se kopshtet publike në kryeqytet do të hapen nga e hëna.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Ahmeti ka bërë me dije se kopshtet do të hapen duke zbatuar udhëzimin e hartuar nga MASHT dhe protokollin e hartuar nga Komuna e Prishtinës në mënyrë që të mbrohet shëndeti i fëmijëve e punonjësve dhe parandalohet përhapja e COVID-19.

“Vendimi i fundit i Qeverisë e delegon kompetencën për hapjen e kopshteve te komunat. Komuna e Prishtinës i menaxhon 8 kopshte publike dhe 9 kopshte me bazë në komunitet, duke përfshirë SOS kopshtin. Këto kopshte do të hapen të Hënën, 10 Gusht, duke zbatuar udhëzimin e hartuar nga MASHT dhe protokollin e hartuar nga Komuna e Prishtinës në mënyrë që të mbrohet shëndeti i fëmijëve e punonjësve dhe parandalohet përhapja e #covid19”, ka shkruar Ahmeti.