Shpend Ahmeti tregon se a do të kandidojë përsëri për kryetar të Prishtinës

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka treguar në emisionin dPT te Fidani në T7 nëse do të kandidojë përsëri për mandatin e tretë.

Ahmeti ka fituar për herë të parë zgjedhjet lokale më 2013 dhe pastaj fitoi përsëri më 2017 si kandidat i VV-së. Pastaj ai kaloi në subjektin e ri që u formua me ata që dolën nga VV-ja, PSD. Ahmeti deri më sot nuk ka treguar nëse do të kandidojë për mandatin e tretë.

“Me më pyet sot kisha thon jo. Por në politikë nuk mund të e dish kurrë sigurt. Nuk mund të them asgjë definitive. Dy mandate më duken të mjaftueshme. Në SHBA e kanë këtë koncept. Por nuk mund të them definitivisht jo pasi në politikë po i hajshe fjalët”, ka thënë ai.

“Kam bërë shumë punë në këto dy vite. Kemi lënë punë në gjysmë. Por nëse mendojmë kështu shkojmë deri në pafundësi”, Ahmeti.

Ahmeti po ashtu tregoi planet për të ardhmen nëse nuk kandidon për të parin e Prishtinës.

“Me politikë nuk besoj se do të vazhdoj. Normalisht nuk mund të them se nuk mund të merrem gjithmonë me të pasi e kam profesion dhe kam kryer shkollimin e lartë për këtë. Ne në Kosovë më duket se vuajmë prej Sindromit të Stokholmit. Por ne nuk jemi të lidhur për agresorin por për krizën. Tani një muaj me stabilitet nuk jemi të kënaqur”, tha Ahmeti.